Dy episode me oligarkun Milo Gjikuria për kalimin nga prehri i Fatos Nanos te prehri i Sali Berishës në vitin 2005, dhe për lidhjen e Edi Ramës në vitin 2013 me oligarkët Bashkim Ulaj e Pëllumb Salillari, më parë ishin klientë të familjeve Berisha-Meta e sponosorë të PD-LSI
Gjatë kësaj fushate, mediat dhe kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, po deklarojnë se Edi Rama po financohet nga oligarkët, por pa përmendur emra, ndërsa Sali Berisha e Ilir Meta nuk po flasin fare për këtë version, mbasi siç kuptohet, po përdorin si tellallë mediat e kandidatët.
Në fakt, nga informacionet që disponon “Pamfleti”, rezulton se edhe gjatë kësaj fushate, oligarkët po financojnë të 3 “transhetë” partiake kundërshtare, por me rregullin e përhershëm, që më shumë i japin pushtetit prej të cilit marrin miliardat, lejet e koncesionet.
P.sh., partia në pushtet, oligarkëve e bizneseve të tjera, ua merr pjesën e fushatës qysh në “burim”, pra, kur u jep tenderët, lejet e ndërtimit, koncesionet, PPP-të, pasuritë dhe kur u fal taksa e i lejon të bëjnë evazion fiksal në tatime e dogana.
Ndërsa Saliut e Ilirit për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, oligarkët po ia japin milionat me këste, vetëm kur kanë takime e aktivitete, si p.sh., pagesat për hapjen e fushatës në stadiumin “Air Albania”, për posterët e kandidatëve dhe shpenzimet e takimeve nëpër zona.
Edhe PD së Alibeajt e Lulit po i japin diçka, por jo sa Foltores e LSI, sepse e dinë që KQZ i ka dhënë 1 milionë Euro nga fondi shtetëror i zgjedhjeve si parti parlamentare, siç i ka dhënë edhe partisë së Ilir Metës, Fatmir Mediut e Vangjel Dules nga 80 deri 130 milionë lekë.
Pra, oligarkët i japin çdo krahu politik e nuk duan t’ia dinë fare, se cila parti apo grup do fitojë më 14 maj, sepse ata janë me të gjitha partitë kryesore dhe nëpërmjet çeqeve nën dorë, u ngjiten e pranohen nga çdo kryeministër e kryetar partie, prandaj Berisha e Meta nuk i përmendin fare.
P.sh., banorët e Bërxullës, po protestojnë përditë kundër oligarkut Bashkim Ulaj, Edi Ramës e Belinda Ballukut, që po tentojnë t’u shkatërrojnë banesat e t’u grabisin tokat me 400 lekë/m2, duke falsifikuar projektin e përdorur dhunën policore.
Por Sali Berisha e Ilir Meta, nuk po thonë asnjë fjalë kundër oligarkut Bashkim Ulaj, sepse ai përveçse është mik dhe ortak i familjes “Berisha”, po u sponsorizon fushatën elektorale e mediat.
Edhe për grabitjen e ujit në Lumas të Kuçovës, Sali Berisha e Ilir Meta nuk po thonë asnjë fjalë, për falsifikimin e projektit dhe dhunën policore që po paguan e përdor oligarku Pëllumb Salillari, sepse ai është ortak me Ilir Metën dhe sponsor i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Po përmendim edhe dy fakte konkrete:
- Gjatë një takimi biznesmenësh me mediat në Vlorë në mars 2006, oligarku Milo Gjikuria, u pyet përse kaloi nga prehri i PS e Fatos Nanos, te prehri i PD e Sali Berishës dhe ai u përgjigj: Ne biznesmenët jemi me çdo parti dhe lidhemi me atë që merr pushtetin.
- Në muajin tetor 2014 në parlament, Edi Rama tha për afrimin dhe lidhjen me oligarkët Bashkim Ulaj e Pëllumb Salillari, se ata kanë qenë edhe pjesë e familjes e pushtetit Berisha, por u bënë miq të tij e punojnë me të.
Ndërsa, kur Edi Rama të mos jetë në pushtet, ato do bashkohen me atë që do marrë pushtetin, sepse duke rendur pas pushtetit, ata rendin pas miliardave, një pjesë të të cilave e ndajnë me të gjitha partitë./Pamfleti
Lini një Përgjigje