
Kandidati i PS për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci është shprehur se gara për Shkodrën nuk është politike, por një garë ofertash zhvillimi për këtë bashki.
Në një intervistë për emisionin “Debat” në “A2 CNN”, Beci foli edhe për 3 shtyllat kryesore ku mbështetet programi i tij.
“Kjo kohë e betejave, bastioneve e ka kthyer Shkodrën në peng të problemeve politike. Nuk do gjeni artikulim politik në fjalën time. Është një program ekonomik investimesh. Në Shkodër mungojnë shumë elementë të një qyteti 2023. Të ardhurat ekonomike janë të ulëta, nuk përfaqëson më atë ndriçimin kulturor historik që ka pasur në shekuj. Programi është i lidhur me rikthimin nga fjala bastion në një perlë të veriut. Janë 3 akse: bashkia në punë, kthimi në një qendër rajonale dhe bashkia e hapur, këto janë tre shtyllat e programit tim”, tha ai.
Duke i shtjelluar më konkretisht këto shtylla të programit të tij, Beci tha se bashkia që ditën e parë do të realizojë detyrat e saj, nga asfaltimi te plehrat, apo investimet e domosdoshme si zgjerimi i urës së Bahçallëkut për t’i dhënë zgjidhje trafikut, liqenin e lundrueshëm. Dhe shtylla e fundit bashkëpunimi dhe komunikimi me qytetarët.
“E para një bashki që punon realizon detyrat asfaltimin, rrugët e biçikletave, kanalizimet, ujërat e zeza, tregjet, plehrat, fasadat e çdo detyrë që ka një bashki. Për këtë duhet të riorganizohet puna që të kthehet në një vend të funksionueshëm. Sot Shkodra është larg standardeve. E dyta, investimi për ta kthyer në qendër rajonale. Janë dy investimet që janë duke u bërë dhe në diskutim ura e Bunës, dhe rruga që lidh Shëngjinin e Velipojën, njëra ka filluar tjetra në proces. Hyrja e Shkodrës ka vështirësi e madhe. nga harku i Bërdicës ka një problem trafiku.
Duhet zgjeruar ura Bahçallëkut dhe në Shkodër do hyhet me një projekt të detajuar. Zgjidhje e trafikut dhe zgjerimin e urës së Bahçallëkut. Liqeni i Shkodrës do të bëhet i lundrueshëm. Kemi përfunduar dy mole. Nuk ka një shesh për aktivitete në Shkodër. Rruga e Dukagjinit është e domosdoshme për t’u lidhur dhe për të dalë në të gjithë zonat. Shtylla e tretë është bashkëpunimi me qytetarët, për ta hapur bashkinë për të pranuar donacione e projekte dhe të jenë të lidhura me komunikimin nevojat dhe shqetësimet e banorëve”, sqaroi Beci.
Sipas tij kjo është gjuha që duan të dëgjojnë shkodranët për zhvillimin e qytetit të tyre, ndërsa bastioni është përdorur politikisht.
“Ajo që lexoj qartësisht është se kjo është gjuha që duhet folur në Shkodër, nuk mund të vazhdojnë më me bisedat pa bukë dhe bisedat për zhvillim. Ne do të bisedojmë si zhvillohet qyteti. Kjo kërkon punë dhe puna do të fillojë që ditën e parë dhe është një garë ofertash zhvillimore dhe eksperienca për të zhvilluar Shkodrën nuk është garë politike. Bastioni është përdorur politikisht i mëshojnë gjithë kohës këtij fakti gjithnjë”, tha ai.
Beci shtoi ndër të tjera se votën e shkodranëve e kërkon me bilancin e punëve të arritur deri më tani dhe premton projekte shumë të bukura për Shkodrën.
“Kam bërë projekte, rrugë, kam punuar më donatorët, kam dyfishuar fondet për të ndryshuar qytete të tëra. Kam ardhur në Shkodër për ta bërë këtë në Shkodër. Kam projekte shumë të bukura për Shkodrën”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje