Kryeministri Edi Rama ka folur për përmbytjet duke e konsideruar një nga problemet më të mëdha të kësaj kohe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme të botës.
I ftuar në “Wake up”, Rama tha se janë zvogëluar dëmet nga përmbytjet për shkak të punëve dhe masave që janë marrë.
Në rastin konkret Rama mori Shkodrën, ku u shpreh se qeveria ka bërë shumë punë në Shkodër, por jo në bashkëpunim me bashkinë, pasi sipas kryeministrit, Bashkia Shkodër është bërë pengesë për shumë projekte.
“Ka më pak dëme nga përmbytjet për shkak të masave që janë marrë. Përmbytjet janë një nga problemet më të mëdha të kësaj kohe. Ne në Shkodër kemi pasur një situatë barrikade.
Ne kemi bërë punë në Shkodër, por nuk ka qenë të lidhura me Bashkinë e Shkodrës. Kemi bërë rrugën Shkodër-Velipojë që ishte një kërkesë e kahershme. Rruga ishte copë-copë. Kemi bërë rrugën e Thethit.
Është një rrugë alpesh perfekt turistike. Po bëjmë rrugën Shëngjin-Velipojë, por janë vendime që s’varen nga bashkia, janë vepra që zgjasin, pengesa e bashkisë është e vazhdueshme. Bashkia nuk dorëzon letrat e shpronësimeve. Kemi dy ujësjellës dhe nuk fillon dot puna në Shirokë dhe Zogaj”, tha Rama.
Rama ka shënjestruar kreun e Bashkisë Shkodër, Bardh Spahinë duke thënë se është i vetmi qytet i papastër ku vazhdojnë të jenë të tejmbushur kazanët me plehra.
“Kemi bërë shumë gjëra të mira të paktën në bashkitë që ne drejtojmë qytete janë të pastër për fat të keq jo në Shkodër, ku ende vazhdojnë kazanët me plehra. Qytetet s’kanë problem me ujin e pijshëm. Ka akoma për të bërë, por nuk është gjithmonë më refreni do t’ju sjellim ujin. Tirana ka nevojë për më shumë investime”, është shprehur Rama.
Lini një Përgjigje