Marrëveshjet e reja për reformën territoriale, zgjedhore, Parlamentin dhe drejtësinë po shihen si një pazar i madh politik, ku Rama kërkon të kontrollojë tranzicionin e vet, ndërsa Berisha kërkon mburojë përballë hetimeve...
Ka mjaft që po nxitojnë ta lidhin zinxhirin e pakteve të fundit Rama- Berisha me garën brenda Partisë Demokratike.
Në të vërtetë, Sali Berisha as nuk e ka çarë kokën dhe as nuk shqetësohet për garën apo rivalët e tij. Partinë ai e konsideron pronë private. Ankthi i tij real nuk është gara në PD, por hetimet që janë hapur ndaj tij dhe familjes, ndërkohë që sapo ka nisur procesi gjyqësor për çështjen “Partizani”.
Sipas të gjitha gjasave, koha e Berishës dhe familjes së tij, për shumë vite në vijim, do të vijojë mes gjykatave dhe prokurorive.
Berisha mund të mendojë se Zoti i ka dhënë ymër si shenjë mbështetjeje, por harron se providenca, në këtë rast, mund ta ketë me të futur.
Në të ardhmen, një pjesë e madhe e energjisë dhe pasurisë së familjes Berisha do të shkojë për prokurori, gjykata, avokatë, ekspertë dhe ndihmës ligjorë.
Në Perëndim, kjo është një nga rregullat bazë të drejtësisë. Koha dhe paratë shpenzohen në gjykata, sidomos nga ata që kanë fituar shumë duke abuzuar me pushtetin.
Duke e ditur se proceset e tjera mund të jenë të shumta dhe më të ashpra, nga Gërdeci e 21 Janari, deri te vrasjet e Tropojës, Berisha po kërkon të blindohet si faktor politik përmes marrëveshjeve me Edi Ramën.
Rama, nga ana e tij, e përdor rivalin e vjetër si aleat real politik. Berisha i shërben si alibi për të qëndruar në pushtet, por edhe si instrument shantazhi ndaj ndërkombëtarëve.
Duket se në serinë e marrëveshjeve që nisën me rezolutën e BE-së, e keqja është ende pas dere. Përveç reformës territoriale, Rama dhe Berisha kanë rënë dakord për ndryshimin e përbërjes së Parlamentit, duke e çuar numrin e deputetëve në 101. Kjo do ta mbyllte edhe më shumë sistemin politik.
Ndërkohë, një tjetër çështje e rëndë është dakordësia e Edi Ramës me Greqinë për të lejuar që çështja e detit të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare. Ky version, sipas ekspertëve që e kanë këshilluar kryeministrin, mbart rrezik të madh dhe favorizon Athinën.
Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Nikos Dendias, do të vijë në Tiranë të hënën, një ditë para datës 26, kur pritet të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Kjo vizitë shihet si presion i drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit shqiptar për të vendosur firmën në dokumentin që kërkon Athina.
Pikërisht për këtë marrëveshje të fshehtë, sipas zërave, ka dhënë dakordësi edhe Sali Berisha. Këto ditë, atë e ka takuar një deputet i lartë i “Nea Demokratia”-s së Kyriakos Mitsotakis.
Në këtë takim, Berisha ka bërë të ditur se nuk do ta kundërshtojë marrëveshjen e Edi Ramës me Athinën për ta çuar çështjen në Hagë.
Por breshëria e marrëveshjeve të errëta nuk mbaron këtu. Në korrik, kur pritet të miratohen reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, në Parlament do të hyjnë edhe dy ndryshime të mëdha në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.
Zërat flasin edhe për një ndryshim kushtetues që do të rrisë rolin e Prokurorit të Përgjithshëm, por detajet po mbahen të fshehta, të paktën deri në mbylljen e Konferencës Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Ndërkohë, Sali Berisha ka kërkuar edhe miratimin e një dhome të dytë të Parlamentit, me 25 “senatorë”, të cilët do të kenë status kushtetues të ngjashëm me atë të Presidentit të Republikës.
Sipas këtij varianti, ndaj tyre nuk do të lejohej asnjë ndjekje penale apo proces penal gjatë qëndrimit në detyrë.
Deri tani, mazhoranca e ka kundërshtuar këtë kërkesë. Megjithatë, çështja nuk është mbyllur.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i gjithë kësaj lëvizjeje. Nuk bëhet fjalë për garën në PD. Nuk bëhet fjalë as për reformë politike. Bëhet fjalë për një pazar të madh mbijetese, ku Rama kërkon të kontrollojë tranzicionin e vet, ndërsa Berisha kërkon strehë politike përballë drejtësisë./Pamfleti
Për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare të dyja PS dhe PD do kenë një sllogan të përbashkët: "Ne në gojë të ujkut hedhim valle, lum moj Shqipëri që na ke".