
Ish-ambasadori dhe diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka folur lidhur me ‘non grata-n’ ndaj kreut demokrat Sali Berisha, i cili prej 4 vitesh, bashkë me anëtarët e familjes së tij, ndodhet në listën e zezë të DASH-it.
Moore thekson se sanksionet ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, janë vendosur pa prova konkrete, por në bazë thashethemesh, të përcjella nga ambasada e SHBA në Tiranë për në Uashington. Gjithsesi Moore shpjegon se sanksioni i ‘non grata-ve’ ndaj të korruptuarve u vendos gjatë administratës së parë të Trump.
Në vijim të një interviste ekskluzive për A2Cnn, ambasadori Moore shprehet se Parlamenti i ri shqiptar ka fuqinë që të ndërhyjë në Uashington lidhur me heqjen e “non gratës” për Berishën. Dhe referuar kësaj logjike, duket se fuqinë për t'i hequr 'non grata-n' Berishës e ka Kuvendi që kontrollohet nga Edi Rama, ose duhet një rishikim i legjislacionit amerikan.
“Ky legjislacion që krijoi këtë tip sanksioni u themelua gjatë administratës së parë Trump në vitin 2018 dhe ishte një përpjekje për të gjetur një mënyrë më efeciente për të vënë sanksione mbi njerëz të akuzuar për korrupsion”, tha Moore.
Ai vlerëson se programi për shpalljen “non grata” të politikanëve ka shumë të meta dhe duhet të rishikohet.
“Fatkeqësisht, në opinionin tim personal, ka pasur disa probleme kyçe me këtë legjislacion. E para është pikërisht barra e provës. Këto sanksione kërkojnë fakte, detaje, argumente ligjorë dhe transaksione financiare që bllokohen si nga SHBA, por edhe nëpërmjet SHBA-ve. Këto sanksione, përmes Departamentit të Shtetit, prezantuar në vitin 2018, duket se mbështeten kryesisht nga akuzat për korrupsion. Pra, personi i parë i ka thënë personit dy, që i tha ambasadës që dikush është i korruptuar. Pastaj, ka pasur edhe një nxitim për t’i vënë disa njerëz nën sanksione. Zoti Berisha nuk është i vetmi në Shqipëri dhe subjekt i këtyre sanksioneve”, tha Moore për A2 CNN.
Në vijim, ish-diplomati amerikan thekson se meqënëse kjo ka ndodhur në vitin 2018 dhe jemi 7 vite pas dhe ka shumë njerëz në botë që janë në atë listë që nuk janë marrë nën hetim asnjëherë, ngrihet pyetje serioze për sa i përket vlefshmërisë së sanksioneve.
“Sigurisht që ato mund të sfidohen dhe një problem i dytë me këtë legjislacion është që nuk ka një proces kundërshtimi apo për të parë nëse dikush ka dhënë kontribut pozitiv në interes të SHBA-ve”, tha Moore.
Lini një Përgjigje