TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Gusht 2025, 21:51

"Një mik i rrallë", Basha: I pabesueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit

Shkruar nga Pamfleti

"Një mik i rrallë", Basha: I pabesueshëm lajmi për

Lulzim Basha ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.

“I pabesueshëm lajmi për ndarjen e Artur Zhejit nga jeta, një mik vërtet i rrallë dhe i paharrueshëm”, shkruan Basha, duke e përshkruar Zhejin si një intelektual të shquar, erudit të pashoq dhe bir të denjë të Petro Zhejit.

Basha thekson se jeta i kishte dhuruar Zhejit një formim kulturor të veçantë, që e dallonte nga brezi i tij, teksa mbante gjallë shpirtin e çunit të Tiranës, luftëtar e gjuhëmprehtë.

“Me thellësinë e dramaturgut dhe bisturinë e mendjes politike, me patriotizëm të kulluar dhe sarkazëm të mprehtë kozmopoliti, Zheji provokonte gjithmonë një ndjesi të jashtëzakonshme mirëqenieje intelekti dhe shpirti”, shprehet ish-kreu i Partisë Demokratike.

Në mesazhin e tij, Basha kujton se fatet e kombit ishin gjithnjë në zemër të jetës publike dhe publicistikës së Zhejit, ndërsa thekson se Shqipëria humbi një zë të guximshëm.

“Mendimet dhe lutjet e mia dhe të Aurelës shkojnë për Klodin, bashkëudhëtaren e tij dhe për fëmijët, Besianën, Patrikun dhe Gerin. Familja ishte dashuria e madhe e jetës së Turit. Do të na mungosh shumë të gjithëve. U prehsh në paqe, mik i paharrueshëm!”, përfundon Basha.

Lini një Përgjigje