Në një kohë kur politika shqiptare, dhe sidomos ajo lokale në Tiranë, është mbushur me premtime të lodhura dhe figura që ndërrojnë sigla, por jo mentalitet, emri i Jonathan Panos bie në sy për disa arsye që ia vlejnë të përmenden pa e mbuluar me entuziazëm të tepruar, por as me paragjykim.

Jonathan Pano është një nga kandidatët më të rinj të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore në kryeqytet. Ai është biri i pastorit të njohur Akil Pano, një figurë e respektuar në jetën publike shqiptare, i njohur për përkushtimin e tij ndaj komunitetit, mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe qëndrimet publike të pakompromis ndaj korrupsionit dhe deformimit moral në shoqëri. Familja Pano është identifikuar si një zë i fortë në mbrojtje të vlerave tradicionale, të drejtave të familjes dhe të lirisë qytetare në Shqipëri. Në këtë aspekt, Jonathan Pano nuk vjen thjesht si një i ri me dëshirë për të hyrë në politikë, por si përfaqësues i një brezi që i ka rrënjët në etikë, përgjegjësi dhe besim në shërbimin ndaj komunitetit.
Por përtej mbiemrit, Jonathan Pano ka ndërtuar profilin e tij. I diplomuar në Shkenca Politike dhe Administrim Publik në Universitetin e New York në Tiranë dhe me një eksperiencë në Universitetin e Utrecht-it në Holandë, ai ka punuar pranë komuniteteve të lagjeve në njësitë 8 dhe 9 të Tiranës, duke marrë kontakt të drejtpërdrejtë me problemet reale të qytetarëve. Nuk ka ardhur në politikë nga karriget e zyrave, por nga terreni, nga kontaktet me banorët, nga përpjekja për të organizuar dhe zgjidhur çështje konkrete.
Programi që ai propozon për Tiranën është i ndërtuar mbi disa parime të qarta: transparencë në menaxhimin e financave publike, ndalim të betonizimit të pakufizuar, një bashki më afër qytetarëve dhe ndihmë për bizneset e vogla dhe shtresat në nevojë. Pano është ndër të paktët kandidatë që ka propozuar zbatimin e një moratoriumi të lejeve të ndërtimit për një periudhë fillestare dyvjeçare, deri në një rishikim të plotë të planit urbanistik të qytetit. Ai ka premtuar gjithashtu uljen e barrës së taksave lokale për familjet dhe bizneset, si dhe krijimin e një platforme të hapur për publikun, ku çdo pagesë e Bashkisë do të publikohet në kohë reale.
Nëse këto premtime do të mbeten në letër apo do të kthehen në realitet, kjo do të varet jo vetëm nga vullneti politik, por edhe nga mbështetja dhe presioni i shoqërisë. Jonathan Pano, ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë, nuk ka pas vetes interesa financiare dhe nuk është produkt i marrëveshjeve të fshehta politike. Kjo e bën të jetë një kandidat që duhet vlerësuar për atë që përfaqëson: një mundësi reale për të sjellë në Shqipëri një frymë të re qeverisjeje.
Sigurisht, ai nuk ka përvojën e gjatë të politikës së vjetër. Por ndoshta pikërisht kjo është forca e tij. Një brez i ri, që vjen me një kornizë tjetër vlerash dhe që e sheh shërbimin publik jo si trampolinë për pasurim, por si detyrim ndaj qytetarëve.
Në fund, vendimi i përket votuesve të Tiranës. Ajo që është e sigurt, është se Jonathan Pano përfaqëson një mundësi që meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me seriozitet. Jo si shpëtimtar, por si një alternativë e pastër në një fushë politike që ka kohë që ka humbur ndjesinë e freskisë dhe të besimit.
Nëse Tirana ka ende një shans për të kthyer kursin, ndoshta ky shans vjen përmes kandidaturave si Jonathan Pano; të rinj në moshë, të pastër në integritet dhe të qartë në vizion. /Pamfleti
Lini një Përgjigje