
Opozita ka dhënë sot sinjalet e para të bashkëpunimit me PS. Kaosi në Kuvend ka bllokur disa ligje, mes të cilave amnistinë penale. Por PD ka shfrytëzuar këtë ligj për të shpëtur Ervin Salianjin nga burgu. Ai është dënuar me 1 vit burg në Shkallën e Parë dhe tani po pret vendimin e formës së prerë në Apel. Por demokratët duket se kanë shfrytëzuar rastin e tij për të hedhur grepin e pazareve me PS.
Mësohet se PD ka dorëzuar në Kuvend një amendament sipas të cilit kërkon indirekt të amnistohet deputeti Ervin Salinji, në kuadër të ligjit të amnistisë penale.
Ky dokument u dorëzua sot nga Ferdinand Xhaferi, i cili kërkon që çdo person që është dënuar me 2 vjet burg nga shkalla e parë dhe nuk është dhënë ende një vendim nga apeli, të falet. Ky është rasti tipik i deputetit Salinji, i cili u dënua në vitin 2019 për kallëzim të rremë më 1 vit burg, por ende nuk ka marrë një dënim të formës së prerë nga Apeli.
“Amnistia në vetvete ndjek qëllime humanizmi dhe ka për qëllim të lehtësojë pozitën e shtetasve, të cilët mund të jenë dënuar për kryerjen e veprave penale të lehta, me dënime të ulëta apo që kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit. Lehtësimi i pozitës së këtyre shtetasve ka një impakt pozitiv edhe rrethin e tyre familjar dhe shoqëror, dhe në tërësi ndihmon procesin e rehabilitimit. Nga ana tjetër, amnistia përbën një lehtësim për sistemin peniticiar, i cili sic rezulton nga raportet e fundit dhe deklarimet publike të organeve përgjegjëse është ngarkuar së tepërmi për shkak të mbipopullimit, i cili afekton negativisht drejtpërdrejtë edhe garantimin e të drejtave të të dënuarve, por edhe vetë sigurinë e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Pikërisht, në frymën e mësipërme, ky amendament ka për qëllim që nga njëra anë të lehtësojë pozitën personale, familjare dhe shoqërore të shtetasve të dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale të lehta deri në 2 vite burg, dhe nga ana tjetër të lehtësojë mbingarkesën e krijuar në sistemin peniticiar. Megjithatë, amendamenti përcakton disa përjashtime që lidhen kryesisht me funksionarët e lartë publikë, subjekte të vetëdeklarimit, të cilët janë dënuar për kryerjen e veprave penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar, nën juridiksionin e struktrurave të posacme, përkatësisht SPAK dhe GJKKO”, thuhet në relacionin e përgatitur nga deputeti demokrat. Edhe pse ai ka specifikuar zyrtarët e lartë, Salianji është jashtë sepse nuk akuzohet për korrupsion dhe nuk është subjekt i SPAK.
Projektligji amnistisë u diskutua sot në komisionin parlamentar të sigurisë nga ky kryetari Nasip Naco theksoi rëndësinë e votës së opozitës për ta miratuar njëkohësisht nevojën e përmirësimeve dhe qartësimit nga hartuesit. Diskutimi i projektligjit të amnistisë u shty për një seancë tjetër, në pritje të reflektimit nga Ministria e Drejtësisë pas propozimeve të deputetëve.
Por ky amendament mund të shënojë dhe pazarin e parë mes opozitës dhe mazhorancës. Sinjalet i ka dhënë po vetë Salianji. Në një intervistë ai ka paralajmëruar fundin e kaosit parlamentar. “Mendoj se ne duhet t’i qëndrojmë kërkesave që kemi, për komisionet hetimore, bashkëkryesimin e komisionit të reformës zgjedhore dhe për drejtimin e grupit parlamentar. Por ndërkohë duhet të diversifikojmë dhe të gjejmë forma të tjera të komunikimit me publikun dhe për imponimin në shoqëri të ideve tona. E shoh si një aksion që e ka kryer pjesën më të madhe të aksionit të vet. Tani duhet të shpejtojmë, përfshirë takime me njerëzit dhe protesta me ta”, ka thënë Salianji në një intervistë televizive.
Lini një Përgjigje