
Bllokohet sërish ligji për bastet sportive, Komisioni i Ekonomisë kërkon rishikim...
Kuvendi i ka dhënë një tjetër goditje Fidel Yllit sa i takon basteve sportive. Kreu i KOKSH, pas të cilit fshihet vëllai i kryeministrit, prej muajsh po lobon për të rikthyer bastet, por po i ngec sharra në gozhdë.
Në dhjetor Komisioni i Ekonomisë e bllokoi draftin, duke kërkuar ndërhyrje. Sot ai u rikthye për diskutim, por u shty sërish.
Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi tha se arsyeja e shtyrjes ishte kërkesa për më shumë kohë për përpunimin e draftit final nga shërbimi juridik i Kuvendit.
“Shërbimet që po reflektojnë diskutimet që janë bërë apo disa përvoja tjera të BE, kërkuan pak më shumë kohë dhe nuk ishin të gatshëm sot që të na e vendosnin një material me pikat konkrete”, tha ai.
Shalsi pati dhe një mesazh për arkitektët e këtij ligji: “Ndaj duhet të hedhim disa hapa që duhet të çojnë jo vetëm drejt formalizimit të tregut, por edhe drejt shkëputjes nga aktorë që duhet t'i lënë vendin aktorëve dhe kompanive serioze që kanë provuar që dinë të punojnë, të menaxhojnë tregun dhe kanë investimet e nevojshme”.
Më herët në seancat dëgjimore, grupet e interesit paralajmëruan deputetët se projektligji nuk do ta ndalojë aktivitetin e paligjshëm, pasi penalizon kompanitë shqiptare me përvojë në treg.
Ish-kryetari i shoqatës së basteve, Artan Shyti tha se problemi kryesor i ligjit të ri ishte penalizimi i kompanive shqiptare me përvojë në këtë treg, duke vendosur kritere për aksionerë të huaj.
“Nëse nuk rikthehen kompanitë që ishin, do të dështojë ky proces”, u tha ai deputetëve.
Lini një Përgjigje