
Deri në nisjen e fushatës duket se do të ketë një betejë të fortë brenda PS, pasi të gjithë luftojnë për të siguruar një vend në listat e kandidatëve.
Partia Socialiste do të ndezë më 8 shtator motorët për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama ka vendosur që të dielën e javës që vjen të mbledhë Asamblenë e PS, e cila do të mbahet në qytetin e Durrësit.
Mësohet se në këtë Asamble, Rama do të caktojë drejtuesit e rinj politikë në qarqe. Pritet që të ketë një ndryshim thelbësor në këtë aspekt. Sa herë ka zgjedhje, Rama i ka lëvizur drejtuesit dhe pritet të shihet se cilat do të jenë surprizat kësaj here.
Por Asambleja e re pritet të zgjedhë edhe Kryesinë me Sekretariatin. Pritet që të ketë ndryshime të thella në Kryesinë e PS, po ashtu edhe në Sekretariat.
Ndërkohë, duhet theksuar se Asambleja përbëhet nga anëtarë të rinj, që u zgjodhën në Kongresin e korrikut. Nga listat me emra, spikasin disa që janë të njohur. Në Tiranë janë Joleza Koka dhe Romina Kuko, të dyja me poste të dhëna nga kjo qeveri. Romina është zv/ministre dhe kryetare e Këshillit Bashkiak Tiranë.
Në Durrës bie në sy një emër, Albora Rraja. Nga një verifikim në faqen e KQZ dhe ILDKP, rezulton se zonja në fjalë është vajza e Rrahman Rrajës, deputetit që dha dorëheqjen pas sherrit që ndodhi në Fushë Krujë, ku u masakruan dy qytetarë të thjeshtë.
Në Elbasan bie në sy një tjetër emër, Imelda Sejdini. Ajo është vajza e ish-kryebashkiakut të ndjerë Qazim Sejdini. Ky i fundit ndërroi jetë pak kohë më parë pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Mes 157 anëtarëve të rinj të zgjedhur është edhe emri i Helena Kaçes, e cila mbajti fjalimin hapës në Kongresin e 28 korrikut, të cilën kryeministri Rama e bekoi si pasardhësen e tij në parti.
Po ashtu, Rama i bëri qokën oligarkut Milo Gjikuria. Pjesë e Asamblesë është Previn Gjikuria, nënkryetar i Bashkisë Himarë. Previn Gjikuria është familjar i oligarkut Milo Gjikuria, ndërtuesit që në 10 vite pushtet të PS, ka marrë 188 milionë Euro tenderë, 8 koncesione, 3 leje për resorte si “Investitor strategjik” në Himarë e Sarandë dhe 76 hektarë plazhe, parqe pyjore, toka e troje shtetërore falas në Himarë, Vlorë, Tiranë e Durrës për pallate.
Deri në nisjen e fushatës duket se do të ketë një betejë të fortë brenda PS. Rama paralajmëroi në Kongresin e Korrikut se do të ketë shumë ndryshime në radhët e listave të kandidatëve. Për këtë arsye pritet që të ketë një betejë të fortë brenda partisë, pasi shumë deputetë aktualë duan të sigurojnë dhe një mandat tjetër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje