
Pak çaste më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, u nis nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në shesh
Ka nisur zyrtarisht protesta kombëtare e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Turma e mbështetësve opozitarë është shtuar ndjeshëm në minutat e fundit, ndërsa vetëm pak çaste më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, u nis nga selia blu dhe iu bashkua protestuesve në shesh. Ai u prit me brohoritje dhe flamuj në duar, teksa mbante parullën kryesore të protestës: “Rama ik!”
Tubimi është i pari për vitin 2026 dhe vjen pas protestës së fundit më 22 dhjetor. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe ngritjen e një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha e ka quajtur këtë ditë si “gjyqi qytetar ndaj kryehajdutit”, duke i bërë thirrje popullit të ngrihet kundër, sipas tij, “një regjimi të korruptuar dhe të lidhur me krimin”.
Përballë Kryeministrisë është vendosur një kordon i dendur policor. Janë mobilizuar 1350 efektivë të Policisë së Shtetit, FNSH-së dhe Shqiponjave. Forcat janë të pajisura me maska kundragaz dhe janë vendosur në gatishmëri autobotët me ujë, në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës. Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga individët që mund të provokojnë incidente.
Paralajmërimi për rrezik trazirash ka ardhur edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë të shmangin zonën midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza. “Edhe protestat që nisin në mënyrë paqësore mund të përshkallëzohen papritur”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Të lumtë goja!