
Siç edhe ishte paralajmëruar, seanca e sotme ka nisur me tensione në Parlament.
Opozita e grupit Berisha-Bardhi kanë bllokuar vendet e ministrave në Kuvend duke mos lejuar nisjen e seancës.
Deputeti Gazment Bardhi ka bllokuar vendin ku ulen ministrat, ndërkohë që janë përmbysur karriget e tyre.Veprimet bllokuese të disa deputetëve të Partisë Demokratike udhëhiqen nga Bardhi.


Vetë Berisha ka sugjeruar dje që të bëhet një letër publike dhe t’u sqarohet kancelarive dhe ndërkombëtarëve ajo çka po ndodh sipas tij në Kuvend dhe se si trajtohet opozita.
Sipas opozitës, ky vendim vjen si pasojë e bllokimit që mazhoranca socialiste i ka bërë Komisioneve Hetimore dhe përfaqësimit të opozitës në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Prej 2 muajsh edhe pse mazhoranca ka njohur vullnetin e shumicës së deputetëve për Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, që sipas rregullores së Parlamentit zgjidhet nga vetë deputetët, vijon të lexojë seancë pas seance shkresa të firmosura nga Lulzim Basha.
Kjo sjellje e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla është konsideruar si provokim nga ana e deputetëve të PD, që duket se sot kanë vendosur të mos lejojnë vijim normal të punës në Parlament.

Ndër të tjera sot pritet që deputetja Ina Zhupa të zhvillojë një interpelancë me ministren e Kulturës Elva Margariti.
Demokratët kanë paralajmëruar qëndresë në seancën plenare të së enjtes, pas rrëzimit që mazhoranca i bëri tre kërkesave të tyre për ngritjen e komisioneve hetimore, përbërjes së komisionit të reformës elektorale, si dhe përjashtimit të deputetëve nga punimet e Kuvendit.
Lini një Përgjigje