TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Tetor 2023, 20:49

Akuza, ironi dhe debate, zbardhen sherret në Konferencën e Kryetarëve për komisionet hetimore; dy justifikimet e PS

Shkruar nga Pamfleti

Akuza, ironi dhe debate, zbardhen sherret në Konferencën e

Mazhoranca duket e vendosur për të mos lejuar hetimin e koncesioneve në shëndetësi dhe aferën me TIMS...

Seanca e nesërme parlamentare pritet të shoqërohet me debate dhe përplasje shumë të forta mes opozitës dhe mazhorancës.

Grupi i Berishës dhe ai i Bardhit kanë paralajmëruar bllokim të punimeve, nëse mazhoranca nuk pranon ngritjen e dy komisioneve hetimore, ai për ndërhyrjen në TIMS dhe ai për koncesionet në shëndetësi. Por pse janë bllokuar këto komisione?

“Pamfleti” ka siguruar debatet e zhvilluara në Konferencën e Kryetarëve të 29 shtatorit, aty ku dhe u rrëzuan kërkesat e opozitës. Sipas procesverbalit të mbledhjes të siguruar nga portali, PS kapet pas dy argumenteve. Së pari është ligji për komisione hetimore, të cilin PS ka dy vite që e nxjerr si justifikim me arugmentin se duhet të ndryshohet. Dhe po ashtu sipas tyre, janë çështje në hetim dhe nuk i takon Kuvendit të merret.

E para ka të bëjë me kërkesën që ka Kushtetuta, Rregullorja e Parlamentit, vetë ligji që tashmë është vjetëruar, ndaj në mënyrë emergjente duhet të bëjmë një ligj të ri ose së paku ta amendojnë ligjin ekzistues në pjesë të rëndësishme të tij, përcaktojnë se komisionet hetimore ngrihen për çështje të veçanta. Duke lexuar kërkesën e opozitës, si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë, shprehet qartë se nuk është një çështje e veçantë, por përfshihen shumë çështje brenda.... E dyta, që është po aq e rëndësishme, po aq ligjore, ka të bëjë me parimin e gjësë së gjykuar dhe me parimin e ndarjes së pushteteve, parim kushtetues ky. Në rastin konkret, në kërkesën e parë që ka bërë opozita për të ngritur Komisionin Hetimor në lidhje me databazat, me trajtimin e të dhënave personale, me databazën e të dhënave shtetërore, si pjesë e objekteve që ka kërkuar – e siç e thashë, duhet të jetë një objekt i qartë dhe një çështje e veçantë, e qartë – përfshihen çështje që tashmë janë gjykuar nga sistemi i drejtësisë, ndaj Kuvendi nuk ka asnjë atribut të hetojë në lidhje me një çështje të gjykuar nga gjykata”, tha Bledar Çuçi.

Akuza, ironi dhe debate, zbardhen sherret në Konferencën e

Ndaj tij ka reaguar ashpër Gamzment Bardhi. Duke u ndalur te parimi i gjësë së gjykuar dhe ndarjes së pushteteve, ai tha se hetimi parlamentar ka një qëllim krejtësisht të ndryshëm nga hetimi penal. Sipas tij, kjo nuk është një qasje e opozitës, por është një interpretim dhe vendimmarrje në një tërësi vendimesh nga Gjykata Kushtetuese. Në fjalën e tij Bardhi tha se parlamenti nuk heton të njëjtat shkaqe, apo nxjerr të njëjtat përgjegjësi që nxjerrin organet e drejtësisë. Të dyja hetimet kanë natyra të ndryshme.

Ka pasur një shqetësim, që nuk është vetëm shqetësim i opozitës, por ka qenë shqetësim edhe i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një ndërhyrje të paligjshme në sistemin TIMS, për marrjen e paligjshme të të dhënave personale nga sistemi TIMS. Bëhet fjalë për të dhëna sensitive që mbrohen në mënyrë të veçantë, me një ligj të posaçëm dhe, në këtë kuadër, është detyrë e Kuvendit, ashtu siç na nxiste partneri ynë strategjik, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të kryejmë një hetim parlamentar nëse ka pasur apo jo ndërhyrje të paligjshme dhe, nëse ka pasur, të propozojmë ndryshime legjislative dhe aty ku ka përgjegjësi administrative të marrim masat për përgjegjësi administrative dhe, nëse konstatojmë përgjegjësi penale, duhet ta referojmë në prokurori. Për sa i përket kërkesës tjetër, ku, sigurisht bëhet fjalë për një çështje të veçantë, nuk kemi kërkuar të hetohet një sektor i tërë. Janë 4 kontrata koncensionare”, tha ai.

Pas tij foli Klotilda Bushka, duke qen në një linjë me Çuçin, duke thënë se kërkesat e opozitës janë çështje  të gjera, nuk janë për çështje të veçanta. “Vetë përmbajtja e kërkesës nuk e plotëson detyrimin për ata kufij kushtetues për sa i takon përcaktimit të objektit, ndaj do të duhet të rishihet nga ana juaj kjo gjë. Pra, jo vetëm të shkruhet në objekt që të plotësohet ky detyrimi kushtetues në mënyrë formale, por edhe në thelb të atyre argumenteve që jepni në kërkesë, duhet t’u përgjigjeni këtij detyrimi kushtetues. Kjo ishte e para.  E dyta, mbivendosja që i bëhet drejtësisë në komisionet hetimore, që do të duhet të jetë, si me thënë, linja e kuqe që një komision hetimor nuk duhet ta kryejë, përndryshe do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk vjen vetëm nga mënyra si e keni formuluar objektin, por cilat janë argumentet”, tha ajo.

Ndaj saj dhe Çuçit reagoi Jorida Tabaku, e cila u kap pikërisht te justifikimi që nxjerr mazhoranca sa i takon ndryshimit të ligjeve për komisionet hetimore.

Kërkoj ndjesë, ndoshta nuk e dëgjova plotësisht zotin Çuçi, por besoj që kemi një evoluim nga justifikimi që është përdorur për gati një vit e gjysmë, i cili ka qenë: “Ne po rishikojmë ligjin dhe nuk lejojmë komisione hetimore”. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste për një vit e gjysmë, dhe unë e kuptoj që ju keni tërhequr dhe keni shprehur vullnetin politik, që ta analizojmë përbërjen e komisioneve. Zoti Çuçi, komisioni i fundit që kemi miratuar, dy, në fakt, një e përmendi zonja Bushka, ka qenë në shtator të vitit 2021. Janë miratuar dy komisione hetimore në shtator të vitit 2021 dhe mbas tyre, në dy vjet, çdo kërkesë e opozitës për komisione hetimore është refuzuar. Unë besoj se të gjithë i lexoni raportet edhe për hapësirën që opozita ka në Parlament, edhe për instrumentet. Tani, është e vërtetë që në atë Parlament fjala ka shumë pak vlerë, por vullnetin që ka opozita për të ushtruar funksionin e saj legjislativ në lidhje me kontrollin, mbikëqyrjen, qoftë edhe të një sektori të caktuar, unë besoj se nuk e zhbëni dot, bazuar edhe mbi të drejtën tonë kushtetuese, edhe sipas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që citoi zoti Bardhi”, tha Tabaku.

Debatet në Konferencën e Kryetarëve

Agron Gjekmarkaj: Kjo është një sallë historike, e cila ka një raport origjinal me autokritikën. Këtu janë shkruar shpesh autokritika dhe janë rrëzuar, se u thoshin: “thellohuni”, ata vinin me autokritikë tjetër dhe pastaj prapë ua rrëzonin. Edhe zonja Bushka na fton të bëjmë autokritikë dhe nuk jemi të sigurt që nuk do të na thotë herë tjetër: “Thellohuni përsëri, se nuk e keni shkruar mirë”. Sigurisht, unë nuk jam jurist, por disa interpretime si qytetar mund t’i bëj, dhe me kaq eksperiencë të shkurtër në këtë Parlament unë e ndiej bezdinë dhe parehatinë që ju, kolegë të mazhorancës, keni kur opozita kërkon komisione hetimore; ngjan pak me ata “naçut” e periferisë: “U bënë këta të na kërkojnë neve komisione hetimore!”. Mua nuk më duket as parimore, as etike që t’i refuzoni, sepse një demokraci liberale mendoj se instrumentin më të mirë për transparencë ka komisionet hetimore dhe nuk duhet të kishte asnjë pengesë.

Bledar Çuçi: Për çështjen e qëndrimit, të cilën e ka me vendim të posaçëm edhe mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, që duhet ngritur një komision i posaçëm për të parë dhe për ta bërë ligjin e ri. Kjo është një çështje e shtruar për zgjidhje dhe duhet të fillojë punë menjëherë. Madje, nisur nga diskutimi i sotëm, mendoj se duhet të fillojë punë sa më shpejt të jetë e mundur, ndoshta që javën tjetër të çojmë përfaqësues te ky komision dhe të fillojnë nga puna, ose mund të gjejmë një mekanizëm tjetër për të mos u zgjatur me komisionet parlamentare. Mendoj që të bëjmë një grup të vogël pune brenda Komisionit të Ligjeve dhe ky komision të vijë me propozimin konkret për ndryshimet e ligjit.

Gazment Bardhi: Këtë çështjen e ligjit nuk e kuptova. E para, ligji është në fuqi; e dyta, ligji nuk sjell asnjë pengesë për të ngritur komisione hetimore; e treta, për komisionet hetimore janë rreth 40 vendime të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohen standardet dhe ndoshta nuk është fare e nevojshme të jetë një ligj; e katërta, bëni çfarë të doni me ligjin, por nuk mund të pezulloni ngritjen e komisioneve hetimore ose, thënë ndryshe, të pezulloni një të drejtë kushtetuese të opozitës, sepse ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese e opozitës. Ju thoni: “Sa të ndryshojmë ne ligjin, do të pezullojmë të drejtat tuaja.”. Thënë ndryshe, kur ndërmerr qeveria një iniciativë për të ndryshuar ligjin e një sektori X, të mos u ofrojmë shërbime qytetarëve derisa të ndryshojë ligji.

Elisa Spiropali: Gazi, ti je besnik i emrit, përgjithësisht ke shumë “gaz” në këto çështje. Kam shumë respekt për dëshirën tënde për të bërë një opozitë të qenësishme dhe të tregosh këtu edhe udhëheqësinë tënde, kam shumë respekt edhe për kërkesën për transparencë dhe për llogaridhënie deri në fund nga institucionet, por nuk është kjo mënyra. Ju e dini shumë mirë, madje edhe më mirë sesa ne, se qëllimi juaj nuk është të prodhoni ndryshime ligjore, ashtu siç duhet të jetë rasti, as të nxirrni përgjegjësi, por të bëni këtu një fasadë të hetuesisë së asaj kohe. Se lëvizi dhe Jorida, së cilës doja t’i thosha nja dy fjalë për hijeshinë e treguar në drejtimin e komisionit për inceneratorët, që nuk u votua as nga ju personalisht raporti i saj, apo jo?

Agron Gjekmarkaj: Unë e kam shumë shkurt. E dëgjova me shumë vëmendje zonjën ministre dhe kolegë të tjerë të mazhorancës, nuk kam ndonjë qortim për të bërë, as ndonjë ankesë, thjesht do t’ju kujtoj një fakt. Është një pasazh te Don Kishoti, ku ka një dialog intensiv ndërmjet Don Kishotit dhe Sanço Pançës; pasi me zemërgjerësi vendos ta bëjë guvernator të një province, ai mban një fjalim me falënderime dhe me shumë epitete. Është i gjatë fjalimi, por në fund Don Kishoti i thotë vetëm kaq: “Të faltë Zoti, ku i gjete gjithë këto fjalë!”.

Ermonela Felaj: Në fakt, është e turpshme që Kuvendit i merren 2 orë kohë për të diskutuar 2 kërkesa të tilla, të cilat janë njësoj, vetëm fabula u ndryshon, asgjë tjetër. Asnjëri nga ju nuk është lodhur të arsyetojë, për shembull, se ku qëndron problemi i ligjit dhe pse duhet të mblidhet komisioni hetimor për të konstatuar problemet e ligjit dhe për të na bërë ligj të ri, kur çdo deputet është i lirë të propozojë një ligj.

Agron Gjekmarkaj: Një sekondë! Meqenëse më ftoi në kauzë zonja Ermonela, unë e shmang nga ligjërimi im në përgjithësi fjalën “turp”. Nuk e kam këtë kompetencë, se e quaj një instrument arrogance. Nuk ndihem kaq i zoti, nuk jam as klerik i moralit, as klerik i politikës, por, meqenëse më ftove të reflektoj mbi fjalën “turp”, po përpiqem të jap një përkufizim. Mendoj që turp është të vjedhësh; turp është të gënjesh; turp është të abuzosh me paranë publike; turp është të përpiqesh t’i pengosh ata që kërkojnë transparencë për t’i shërbyer publikut për këtë gjë. Për sa i përket dashurisë sime me mikrofonin, unë jam i dashuruar me fjalën, që është gjinia femërore. Nuk të konsideroj aspak kompetente për të dhënë vlerësime të tilla. /Pamfleti

kuvendi kofereca e kryetareve

Lini një Përgjigje