Qendrat e emigrantëve në Shqipëri, do të bëhen Qendra të Paraburgimit para Riatdhesimit, CPR...
Të krijuara për të pritur të huajt që presin të mësojnë statusin e tyre si azilkërkues apo si kandidatë për t’u rikthyer në shtëpi me procedura të përshpejtuara, ato kanë mbetur në thelb të papërdorura deri më tani.
Kjo edhe falë vendimeve kundër nga ana e gjyqësorit italian. Ndaj qeveria e Georgia Melonit po mendon ndryshimin e mënyrës së përdorimit të tyre, ndërsa pret të dëgjojë nga gjyqtarët e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mënyrën se si të përcaktojë se cilat janë vendet e sigurta të origjinës, ku të huajt mund të riatdhesohen pa problem.
Nga një model inovativ, që siç thekson Mauro Indelicato, gazetar i Inside Over dhe Affari Italiani, nuk është marrë kurrë në konsideratë në nivel evropian, po kalohet në një përdorim të ngjashëm me atë të strukturave të tjera të ngjashme që ekzistojnë tashmë në Itali. Veçse në qendrat në Shqipëri, kostot e mirëmbajtjes janë më të larta.
Qeveria po e ndryshon qëllimin e përdorimit të qendrave të emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri, të cilat bëhen Qendra të Paraburgimit para Riatdhesimit. A do të mundet t’i përdorë më në fund si duhet?
Qeveria po përpiqet t’i integrojë ato në sistemin e pritjes së emigrantëve. Ndaj u vendos që njëra nga qendrat të përdoret si çdo CPR tjetër italiane. Pra është sikur të kemi zhvendosur në Shqipëri njërën nga qendrat italiane. Lajmi kryesor është se atje do të transferohen jo vetëm ata që janë shpëtuar në det, por edhe ata që kanë mbërritur në Itali, Pra ata që do vendosen atje, do jenë njëlloj si në një CPR në Lampedusa apo në çdo CPR tjetër në Itali. Dallimi është se ndodhet në Shqipëri, një qendër shpëtimi dhe pritjeje e menaxhuar nga personeli italian.
A nuk varet më shumë mbijetesa e këtyre qendrave nga vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, mbi ato që cilësohen vendet e sigurta të origjinës?
Deri dje këto qendra ishin të destinuara për personat e shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, të cilët dërgoheshin në Shqipëri për të vlerësuar pozicionin e tyre. Atje procedurat e dëbimit duhej të ishin shumë më të shpejta. Dekretet e dëbimit, përcaktoheshin në bazë të listës së vendeve të sigurta, të refuzuara më vonë nga gjyqësori, dhe që tani janë në pritje të një vendimi nga gjyqtarët evropianë.
Pra mungon ende funksioni i tyre kryesor: të frenojë fluksin e emigrantëve që vijnë në Itali nga Libia, dhe të përshpejtojë procedurat e dëbimit për ata që vijnë nga vende të sigurta. Ato tani do të funksionojnë si CPR italiane, pavarësisht nga vendimi i gjykatave evropiane. Meqë s’mund të kryhet funksioni i tyre parësor, do të përdoren si struktura normale. Kështu do të jetë disi i justifikuar edhe shpenzimi i konsiderueshëm për ndërtimin e tyre.
Një shpenzim që do jetë gjithmonë më i lartë se ai i CPR-ve të tjera që operojnë në Itali?
Sigurisht. Sepse duhet dërguar personeli italian në Shqipëri për të menaxhuar qendrat dhe kjo padyshim e ka një kosto, e cila i shtohet asaj të ndërtimit. Pra s’ka të njëjtat kosto si një CPR normale. Nëse në vend të këtyre strukturave, të cilat nuk mund të funksiononin si qendra emigrantësh, do të ishin ndërtuar hotele apo parqe për popullsinë vendase, diskutimi politik do të ishte shumë i sikletshëm. Duke i shndërruar në CPR, qeveria shpëton paksa fytyrën e saj: të paktën ka një strukturë që shërben për të lehtësuar barrën e emigrantëve në Itali.
Kush dërgohet zakonisht në Qendrat e Paraburgimit para Riatdhesimit?
Ata që zbarkojnë në vendin tonë, në fazën paraprake e cila i paraprin çuarjes në ambiente të tjera pritëse. Ato janë objektet kryesore të pritjes, në pritje të përgjigjes së kërkesës për azil. Kur ka njerëz që hyjnë në një vend të huaj në mënyrë të parregullt, duhet të ketë qendra ku mund të identifikohen dhe kontrollohen. Në disa situata, mund të ketë mosmarrëveshje midis pikave kufitare, mbipopullim, por kudo që ka fenomen migrator, ekzistojnë struktura të tilla.
Ndërkohë dihet pak a shumë se kur do të jetë vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për vendet e sigurta? Si do të orientohen gjyqtarët?
Sipas raporteve që vijnë nga Luksemburgu, vendimi duhet të shpallet muajin që vjen. Me siguri që do të ndodhë para verës, sepse me përmirësimin e kushteve të motit në Ngushticën e Siçilisë mund të rriten flukset e emigrantëve. Ky është një vendim i rëndësishëm: ai do të vendosë kufij të pakapërcyeshëm, duke treguar se cilat vende të huaja duhet të konsiderohen të sigurta dhe cilat jo.
Por nuk besoj do t’i japë fund polemikave, në Itali apo në Evropë. Nëse interpretimi i Gjykatës Evropiane do të jetë shumë i rreptë, do të ketë një parti politike që do të thotë se të vetmet vende të sigurta janë ato evropiane dhe që riatdhesimet s’mund të kryhen më. Nëse është më i butë, pala kundërshtare do të thotë se vendimi i legjitimon riatdhesimet masive. Çfarëdo që të ndodhë, gjyqtarët evropianë do të jenë në qendër të polemikave dhe çështja nuk do të harrohet.
A do të ndryshojë vendimi në një mënyrë a tjetrën politikat e migracionit të vendeve anëtare të BE-së?
Mendoj se në fund çdo qeveri do të përpiqet të aktivizojë politikat e saj. Pasi miratohet një ligj, do të gjendet një mënyrë për t’u zbatuar atë.
Modeli Itali-Shqipëri, që ishte marrë edhe si pikë referimi nga disa vende në veçanti dhe Evropa në përgjithësi, nuk do të merret më në konsideratë si një zgjidhje novatore?
Ai nuk ka qenë ndonjëherë ndonjë model. Britania, e cila nuk është pjesë e BE-së, e vlerësoi atë, por fakti është se kishte krijuar një sistem të ngjashëm nën drejtimin e Sunak. Kur flitej për emigrantët në nivel evropian, qasja u shqyrtua me një farë interesi, por nuk u pa asnjëherë si një model për t’u zbatuar me çdo kusht. Ishte një zgjidhje që qeveria Meloni e tentoi në mënyrë legjitime, por që nuk rezistoi kur u vu në provë./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje