
Ja emrat e njohur që nuk marrin mandat sipas të dhënave aktuale...
Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë prodhuar vetëm fitues. Një listë e gjatë emrash të njohur, disa me karrierë të gjatë në politikë, ministra e ish-krerë institucionesh, rezultojnë jashtë Parlamentit, duke dëshmuar fuqinë që ka marrë vota preferenciale dhe ndryshimet e thella që po ndodhin brenda vetë partive.
Nëse për disa humbja është pasojë e mungesës së votave në listën e hapur, për të tjerë bëhet fjalë për përjashtim nga renditja përfundimtare për shkak të uljes së mandateve që ka marrë partia në qark, ose thjesht nga rivalë më të votuar në të njëjtën listë.
Duke u bazuar te kutitë e hapura deri tani (mund të ketë dhe surpriza), Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, është pa diskutim emri më simbolik që mbetet jashtë Kuvendit, për herë të parë pas më shumë se tre dekadash karrierë politike. Po ashtu, Shpëtim Idrizi, i cili synonte rikthimin përmes koalicionit me PD-në, nuk ka arritur të fitojë besimin e votuesve në Tiranë.
Partia Socialiste përballet me një "valë" të tërë humbjesh në Tiranë: ish-ministret Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Mimi Kodheli, por edhe figura si Klotilda Bushka, Blerina Gjylameti, Toni Gogu dhe Etjen Xhafaj nuk kanë mundur të sigurojnë vota të mjaftueshme për të fituar mandatin.
Në qarkun e Korçës, një tjetër figurë e rëndësishme e opozitës si Edmond Spaho mbetet jashtë, ndërsa në Berat ndodhin humbje të dyanshme: Hatixhe Konomi (PS) dhe Lefter Maliqi (PD) nuk sigurojnë mandate.
Durrësi tregon goditje të forta për PD-në, me figura si Aulon Kalaja, Ilirjana Kuçana dhe Andia Ulliri që nuk arrijnë të përfitojnë nga lista e hapur. Nga PS, Alban Xhelili mbetet jashtë.
Një tjetër figurë që ka zgjuar shumë diskutime është Arlin Qori, i cili përfaqësonte Lëvizjen Bashkë dhe kishte ndërtuar një profil të fortë publik e mediatik. Megjithatë, mbetet jashtë Kuvendit, ndonëse me jehonë elektorale të ndjeshme në qendrat urbane.
Në Shkodër, PD nuk arrin të rikthejë Bardh Spahinë, ndërsa në Kukës Alban Zeneli i PS-së është jashtë loje. Në Dibër, PD humbet përfaqësimin e tre figurave me profil politik: Basir Çollaku, Përparim Spahiu dhe Xhemal Gjunkshi.
Gjirokastra nuk do të ketë Arben Ristanin, një tjetër figurë të vjetër të Partisë Demokratike, ndërsa në Tiranë “djegien” e madhe e ndjen edhe ish-deputeti i LSI-së Endrit Braimllari.
Të vetmit që ende nuk janë tërësisht të përjashtuar janë Pandeli Majko dhe Myslim Murrizi. PD fut 2 emra në Tirna nga lista e hapur dhe gara është mes Alimehmeti, Tabakut, Murrizit dhe Dogjanit. Ndërsa PS fut 7 emra dhe ka një garë mes Anila Denajt, Pandeli Majkos dhe Xhemal Qefaliajt. Më poshtë emrat që rrezikojnë të mos marrin mandat.
Emrat që mbeten jashtë Kuvendit sipas rezultatit aktual
1. Bardh Spahia, PD, Shkodër
2. Alban Zeneli, PS, Kukës
3. Viktor Tushaj, PD, Lezhë
4. Aulon Kalaja, PD, Durrës
5. Ilirjana Kuçana, PD, Durrës
6. Andia Ulliri, PD, Durrës
7. Alban Xhelili, PS, Durrës
8. Basir Çollaku, Dibër
9. Përparim Spahiu, PD, Dibër
10. Xhemal Gjunkshi, PD, Dibër
11. Ilir Meta, PL-PD, Tiranë
12. Shpëtim Idrizi, PD-PDIU, Tiranë
13. Hatixhe Konomi, PS, Berat
14. Lefter Maliqi, PD, Berat
15. Edmond Spaho, PD, Korçë
16. Andrea Mano, PS, Korçë
17. Klotilda Bushka, PS, Tiranë
18. Blerina Gjylameti, PS, Tiranë
19. Etilda Gjonaj, PS, Tiranë
20. Olta Xhaçka, PS, Tiranë
21. Mimi Kodheli, PS, Tiranë
22. Ermonela Felaj(Valikaj) , PS, Tiranë
23. Endrit Braimllari, PS, Tiranë
24. Toni Gogu, PS, Tiranë
25. Arben Pëllumbi, PS, Tiranë
26. Halit Valteri, PS, Tiranë
27. Plarent Ndreca, PS, Tiranë
28. Etjen Xhafaj, PS, Tiranë
29. Arben Ristani, PD, Gjirokastër
30. Arlin Qori, Lëvizja Bashkë
/Pamfleti
Lini një Përgjigje