TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Mars 2026, 12:51

Nga kryebashkiakët te ministrat e deputetët, Rama ndez motorët e fushatës; çfarë ndodh me socialistët

Shkruar nga Pamfleti
Nga kryebashkiakët te ministrat e deputetët, Rama ndez motorët e
Mbledhje e Grupit Parlamentar të PS

Duke nisur nga java e ardhshme dhe deri në 12 qershor, datë që përkon me 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, çdo i mandatuar socialist, në Bashki apo Kuvend, përfshi edhe ministrat, do të jenë në takime me qytetarët.

Ky është ultimatumi që Edi Rama mësohet se ka dhënë në mbledhjen e Grupit Parlamentar që nisi punimet rreth orës 11:00 në Pallatin e Brigadave në Tiranë, pa praninë e mediave, ndërsa përveç raportimeve, po përcaktohet edhe strategjia që do të ndiqet.

Turi i takimeve do të ketë në qendër të vëmendjes integrimin në BE, si dhe llogaridhënien që kryebashkiakët duhet të japin para qytetarëve lidhur me premtimet e realizuara, por edhe me dështimet. Në këtë kuadër, duket se Kryeministri ka zgjedhur të përballë Kryebashkiakët me qytetarët e Bashkive ku në 2023 kanë marrë mandatet, duke testuar kështu edhe mbështetjen që ata kanë në terren, që mund t’i shërbejë për të vendosur nëse do të rikandidohen ose jo në zgjedhjet e 2027-ës.

Pika tjetër e turit është integrimi në BE. Rama ka deklaruar se Shqipëria do të jetë pjesë e Unionit brenda 2030, ndërsa ka hedhur ide për një anëtarësim të shpejtë pa të drejtë vetoje, por kjo ide nuk ka gjetur mbështetje në disa nga shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht Gjermania, e cila kushtëzon anëtarësimin me realizimin e kushteve.

Javët e fundit duket se ka një përplasje në distancë mes Ramës, që konsiderohej për një kohë të gjatë si i “përkëdheluri” i Brukselit dhe kancelarive europiane. Shkak për këtë përplasje kanë qenë tentativat e Kryeministrit për të bllokuar ose penguar hetimet e SPAK, por edhe sulmet e njëpasnjëshme që ai ndërmori ndaj strukturës së posaçme që lufton korrupsionin në nivele të larta.

Pavarësisht se ndërmori disa ndryshime në Qeveri, duke i bërë një makijazh kabinetit, duket se raportet e Ramës me Brukselin ndodhen të “ngrira”, ndërsa vëmendja është te goditja penale e rasteve të korrupsionit, edhe pse hera herës shfaqen burokratë të BE-së që lëshojnë deklarata në të njëjtën gjatë vale me Kryeministrin, duke relativizuar rastet e korrupsionit.

Nga raportimet mësohet se në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, Rama ka dhënë porosi të veçantë për ministrat dhe deputetët që të dialogojnë me qytetarët, të sqarojnë hapat e ndërmarrë në raport me integrimin, por edhe ato që pritet të hidhen për të realizuar atë që konsiderohet prej dekadash si ëndrra më e rëndësishme për shqiptarët.

Rama njoftoi nisjen e turit të takimeve me qytetarët në fillim të marsit, gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së PS-së, për ta ripërsëritur këtë në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe më pas në Asamblenë Kombëtare të PS-së.    

rama grupi turi takimeve

Lini një Përgjigje