TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Tetor 2025, 07:28

Nga kërkesa për shkarkimin e Peleshit te ngritja e komisioneve hetimore; çfarë pritet nga seanca maratonë

Shkruar nga Pamfleti

Nga kërkesa për shkarkimin e Peleshit te ngritja e komisioneve

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, me një agjendë të ngjeshur, ku një seri institucionesh do të paraqesin raportet vjetore, por jo vetëm kaq.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa pika e parë është votimi për kërkesën e paraqitur nga PD për shkarkimin e Niko Peleshit si Kryetar i Kuvendit. Opozita pretendon se Peleshi ka shkelur Rregulloren e Kuvendit me mënyrën se si ka drejtuar seancat plenare në muajin e parë të punës në këtë funksion. Mazhoranca në anën tjetër e konsideron jo të bazuar kërkesën e paraqitur, çka duket se do të çojë në një përplasje gjatë seancësh, që në fund do të mbyllet me forcën e kartonave.

Në seancë do të votohen edhe dy kërkesa të paraqitura nga PD për ngritjen e komisioneve hetimore.

Kërkesa e parë ka të bëjë me ngritjen e një komisioni hetimor për atë që konsiderohet si ‘skandali McGonigal’, ndërsa e dyta ka të bëjë me hetimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Nga kërkesa për shkarkimin e Peleshit te ngritja e komisioneve

Në rastin ‘McGonigal’, opozita ka ngritur akuza se nga Prokuroria shqiptare, më konkretisht SPAK, nuk janë kryer hetime lidhur me përfshirjen e zyrtarëve shqiptarë, në atë që konsiderohet si aferë. Opozita akuzon Kryeministrin Edi Rama, emri i të cilit gjithashtu përmendet edhe në hetimet që janë kryer nga autoritetet amerikane për ish-agjentin e lartë të kundërzbulimit, Charles McGonigal.

Ndërsa sa i takon 11 majit, opozita synon të hetojë përdorimin e administratës në këtë proces, presionet dhe një seri vendimesh që favorizuan PS e Edi Ramës në zgjedhjet e fundit.

Nuk dihet nëse socialistët e Edi Ramës do të lejojnë ngritjen e dy komisioneve, apo do të ngrejë pretendime lidhur me objektin e hetimit.

Në seancë gjithashtu pritet paraqitja e raportit vjetor nga KLP-ja, pikë e mbartur nga seanca e së hënës, ndërkohë që institucionet që do të paraqesin raportet vjetore janë edhe Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, AMA, si dhe RTSH.

 

Lini një Përgjigje