
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar zgjedhjet e përsëritura në Rrogozhinë si një farsë të organizuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë për mediat, ai foli për një proces të manipuluar zgjedhor. Sipas tij, PS në Rrogozhinë ka ushtruar terror fiskal e fizik. Berisha foli gjithashtu edhe për fleta votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim të votës, votime familjare e të tjera.
Berisha foli me emra konkretë për ata që i cilësoi si të përfshirë në “farsën e Rrogozhinës”.
“Këtu janë përgatitur sekuenca nga dita e djeshme, ku dëshmojnë se në krye të bandës që terrorizoi qytetarët e Rrogozhinës dje, përveç Erion Veliajt, qëndronte Blendi Gonxhe, një nga hajdutët më të shpifur të kësaj administrate.
Afrim Qendro, hajdut me damkë, i njohur për vjedhjet e tij në rrugën Tiranë-Elbasan dhe shumë vjedhje të tjera.
Deputeti Agron Çela, edhe ky njeri që nga fryn era, nga i del biznesi, kthen flamurin.
Famozi Valdrin Pjetri, ish-kandidati i diskredituar i Shkodrës, Etjen Xhafaj, deputet-vegël e verbër e Erion Veliajt, Taulant Tusha, Nuredin Bushi, Blerim Shera dhe shumë të tjerë, të cilët kryen akte antiligjore në fushatën e djeshme.
Këtu i keni votimet kolektive, votimet me familje, deklaratat dhe prandaj sipas interesit, mund t’i ndiqni”, tha Berisha.
Ai iu përgjigj edhe deklaratave të bëra më herët nga Veliaj, i cili fliste për demokratë që kanë votuar majtas duke refuzuar të dalin në krah të Berishës.
“Veliaj nuk bie në këtë pozitë. E thotë haptas sot, se fituam jo se na duan, po se nuk duan Sali Berishën. I kapi tmerri i Berishës. Këtu kanë të drejtë, sepse PD, opozitë e vërtetë, po i bën autopsinë kësaj kalbësire”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje