TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Dhjetor 2025, 16:54

Nga ëndrra për 'pleqërim në Vuno', te ribashkimi në kohë krizash; Rama darkë me Koço Kokëdhimën

Shkruar nga Pamfleti
Nga ëndrra për 'pleqërim në Vuno', te ribashkimi
Rama-Kokëdhima

Në një lëvizje që ka habitur jo pak brenda Partisë Socialiste, Edi Rama është parë në një takim kokë më kokë me ish-deputetin Koço Kokëdhima, një prej figurave më të afërta të tij dikur, me të cilin nuk kishte pasur asnjë kontakt publik prej afro një dekade. Takimi është zhvilluar në një lokal pranë Arenës Kombëtare dhe vjen në një moment kur kryeministri ndodhet në një situatë aspak komode....

Edi Rama njihet për pabesitë e tij. Janë me dhjetëra persona që ai dikur i konsideronte miq, por thuajse të gjithë ose i përzuri nga PS, ose i dërgoi në burg. Nga pas i shkojnë vetëm ata që dinë t’i thonë vetëm “Po” dhe janë gati të bëjnë gjithçka që ai u thotë. Kush i tha ‘Jo’, sot ose ka shkuar pas hekurave, ose po sheh punët e tij larg PS. Mirëpo në situatën ku ndodhet, Rama ka filluar të kthejë kokën pas. SPAK po ja “ha” të gjithë një e nga një dhe tani Babloku duket se po tenton të rikthejë miqësitë e vjetra.

Lajmi i ditës sot ka qenë një takim i zhvilluar mes Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës. Dikur dy miq shumë të ngushtë që madje kishin bërë plane të “pleqëronin në Vuno”, të paktën kështu kishte deklaruar Rama. Por që më pas i ndanë rrugët. Edhe sot ka shumë mister se pse ata u prishën, por padyshim dyshimet janë se në mes janë pazaret.

Megjithatë të dy e “kanë lëpirë atë që kanë pështyrë” dhe sipas "News 24" pak ditë më parë kanë darkuar në një lokal te “Arena Kombëtare”. Sipas raportimeve në media, kanë qenë të dy të gëzuar dhe të qeshur gjatë gjithë takimit. Ky takim vjen pas 10 vitesh ndarje.

Miqësia Rama-Kokëdhima nuk lindi rastësisht. Ajo nisi të bëhej publike rreth 18 vite më parë, në fund të viteve ’90, në një moment kyç për të dy. Edi Rama u kthye nga Parisi në Tiranë, i thirrur nga Fatos Nano për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, ndërsa Koço Kokëdhima u zhvendos nga Fieri në kryeqytet, ku themeloi gazetën “Shekulli”. Që në vitet e para, “Shekulli” u pozicionua hapur në mbështetje të Ramës dhe për gati 15 vite mbeti një nga zërat më të fortë mediatikë në favor të tij, pavarësisht kostove politike dhe polemikave.

Raporti mes tyre u shndërrua shpejt në një lidhje shumë të ngushtë personale dhe funksionale. Rama shihej si një lloj mentori për Kokëdhimën në zhvillimin e bizneseve të tij, ndërsa Kokëdhima ofronte mbështetje publike, ndikim dhe një rrjet të gjerë kontakti. Brenda PS dhe jashtë saj, kjo marrëdhënie u shigjetua vazhdimisht, por ajo mbeti e fortë dhe e pandryshuar për vite me radhë. Vetë Kokëdhima e quante Ramën “investimi im”, ndërsa Rama e përshkruante Kokëdhimën si “model biznesmeni”.

Për një kohë të gjatë, Kokëdhima u perceptua si një figurë kyçe në prapaskenë, një lloj “eminence gri” e Ramës. Ai luajti role të rëndësishme në negociata politike, përfshirë edhe kontaktet me Ilir Metën gjatë viteve 2012–2013, si dhe komunikime me forca të tjera politike. Ky ndikim u formalizua kur Kokëdhima hyri vetë në politikë dhe u zgjodh deputet, duke marrë një rol drejtues në Jug të vendit dhe duke krijuar jo pak përplasje brenda PS.

Prishja erdhi në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese i hoqi Kokëdhimës mandatin e deputetit për konflikt interesi. Pas këtij vendimi, marrëdhënia mes tij dhe Ramës u ndërpre thuajse plotësisht. Kokëdhima u tërhoq gradualisht nga politika aktive dhe sot vepron si biznesmen, por që merr tenderë nga qeveria. Megjithatë, ndarja mbeti e paqartë dhe kurrë e shpjeguar plotësisht.

Takimi i fundit mes tyre vjen në një moment delikat për Ramën. Me presionin e drejtësisë dhe goditjen e figurave të afërta të qeverisë, rikthimi i komunikimit me një ish-aleat të fuqishëm nuk shihet si rastësi. Nëse kjo darkë ishte thjesht një mbyllje e së shkuarës apo një hap drejt një marrëdhënieje të re në prapaskenë, mbetet për t’u parë.

Por një gjë është e sigurt: historia Rama – Kokëdhima nuk është një miqësi e zakonshme. Është një model i mënyrës se si pushteti politik dhe ndikimi ekonomik janë ndërthurur për vite me radhë në Shqipëri. /Pamfleti

rama kokedhima

Lini një Përgjigje