TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Tetor 2023, 20:44

Nesër seanca për masën e sigurisë, Berisha: Do shkoj në gjykatë vetëm nëse zbatohet Kushtetuta

Shkruar nga Pamfleti
Nesër seanca për masën e sigurisë, Berisha: Do shkoj në
Sali Berisha

Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit?

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të refuzojë masën e sigurisë ndaj tij. Gjykata ka njoftuar se nesër në orën 14.00 do të mbahet seanca në ngarkim të tij, por Berisha ka dhënë sinjale se mund të mos paraqitet. Ai tha në një emision se shkon në gjykatë vetëm nëse zbatohet Kushtetuta. Berisha pretendon se duke qenë se ka imunitet deputeti, Kushtetuta nuk lejon asnjë lloj kufizimit të lirisë së tij.

Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, SPAK, ose siç e quan ai SKAP, ka zbatuar urdhrat e Ramës sepse e njeh atë mbi Kushtetutën, sidoqoftë nëse procesi kalon në parlament, Berisha thotë se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta.

Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim. Njeriu që ka dërguar në vitin 2012 ligjin për këtë çështje as nuk më shkon kurrë në mendje ta refuzoj”, deklaroi Berisha në "Euronews Albania".

Lidhur me arrestimin e Malltezit, ish-kryeministri tregoi se ishte në shtëpinë e tij duke lexuar kur e mori vesh lajmin pasi u njoftua nga disa miq të tij.

E mora vesh, më njoftuan. Këta kishin shumë kohë, duke mos pasur asnjë fakt, dokument, nuk e kishin shpallur person nën hetim dhe tani që e kanë arrestuar s’e kanë arrestuar si të akuzuar për vepër penale, e kanë arrestuar si person nën hetim. Dhe çfarë bënin këta? Herë pas here për të më bërë presion mua thërrisnin gazetarë të paguar prej tyre dhe ju thoshin që Abi Malltezi do të arrestohet. Keni gati mandatin e arrestit, por këto s’më bënë mua asnjë përshtypje, sikundër s’më bëri as ajo që mora vesh”, u shpreh Berisha.

Ai tha se ndihet keq për situatën pasi dukshëm bëhet fjalë për një burgim politik, por është i përgatitur për të tilla gjëra. Berisha kujtoi se ka pasur edhe të tjerë para Ramës që kanë tentuar ta përbaltin, por s’ja kanë dalë pasi nuk kanë pasur kurrë asnjë provë.

Në rastin konkret, ish-kryeministri përmendi dhe pasuritë e sekuestruara të Malltezit, të cilat lehtësisht mund të verifikohen që janë blerë para vitit 2004, kur dhëndri bashkë me vëllain e tij ishin zyrtarë të OKB-së në Kosovë.

 

Lini një Përgjigje