Gjyqtarja Irena Gjoka nuk i ka ndryshuar masat e sigurisë, duke lënë në burg dhëndrin e Berishës dhe në detyrim paraqitje biznesmenin Fatmir Bektashi...
Gjykata nuk ka ndryshuar masat e sigurisë për të akuzuarit e aferës me kompleksin “Partizani”.
Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi u përballën sot me gjykatën për tu njohur me masat e sigurisë. Malltezi u arrestua të shtunën për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ndaj ndërtuesin Fatmir Bektashi gjykata caktoi "detyrim paraqitje".
Ata dolën para gjyqtares Irena Gjoka duke kundërshtuar akuzat. Avokatët kanë pretenduar se nuk ka asnjë përfitim të paligjshëm dhe se prona u është kthyer pronarëve. Sipas tyre të ardhurat janë përfituar nga një aktivitet i ligjshëm.
“Qëndrimi jonë që në rastin konkret nuk ka vepër penale. Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve, të cilat as nuk janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale. Qëndrimi jonë me akuzat e atribuara, qëndrim mohues, këtë e them me bindje për aq sa mundëm t’i shihnim fashikujt. Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase, është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime, këtu në këtë vend po cenohet parimi i sigurisë juridike”, tha Klodian Skënderi, avokati i Jamarbër Malltezit.
Por gjyqtarja nuk i ka ndryshuar masat duke lënë në burg dhëndrin e Berishës dhe në detyrim paraqitje biznesmenin Fatmir Bektashi.
Sipas SPAK, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi.
Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi.
“Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike”, shprehet SPAK.
Ndërsa Fatmir Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me Malltezin për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit Jamarbër Malltezi dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
“Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe vepren penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi”, shprehet SPAK.
Lini një Përgjigje