TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Tetor 2023, 19:49

Mbyllet seanca për Malltezin dhe Fatmir Bektashin, gjykata tërhiqet për vendim

Shkruar nga Pamfleti
Mbyllet seanca për Malltezin dhe Fatmir Bektashin, gjykata tërhiqet
Malltezi në gjyq

Gjyqtarja Irena Gjoka ka dëgjuar avokatët me prokurorët dhe tani është tërhequr për vendim. 

Mbyllet seanca gjyqësore në ngarkim të Jamarbër Malltezit dhe Fatmir Bektashit, për tu njohur me masat e sigurisë lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit "Partizani".

Dhëndri i ish-kryemisnitrit Berisha është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ndërtuesi Fatmir Bektashi po hetohet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Seanca për ta ishte njoftuar në orën 13.30, por avokatët kërkuan kohë që të njiheshin me dosjen dhe u shty seanca me 2 orë. Më pas u kërkua sërish kohë dhe gjyqtarja Irena Gjoka vendosi që të mbahej seanca në orën 18.00.

Seanca zgjati për afro 1 orë e 30 minuta. Gjyqtarja ka dëgjuar avokatët dhe prokurorët dhe tani është tërhequr për vendim. 

Avokatët kanë pretenduar se nuk ka asnjë përfitim të paligjshëm dhe se prona u është kthyer pronarëve. Sipas tyre të ardhurat janë përfituar nga një aktivitet i ligjshëm.

“Nuk ka asnjë përfitim te paligjshëm. Pronareve u është kthyer prona. Gjëja me natyrale në botë. Të ardhurat janë përfituar nga një aktivitet i ligjshëm tregtar”, kanë pretenduar avokatët. Pritet të shihet nëse gjyqtarja do rikonfirmojë masat apo do të kemi ndryshim të tyre. 

Sipas SPAK, Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën, pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si më poshtë: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi.

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi.

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Shtetasi J. M. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike”, shprehet SPAK.

Ndërsa Fatmir Bektashi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me Malltezin për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit Jamarbër Malltezi dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe vepren penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në bashkëpunim me shtetasin J. M., pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjines së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit J. M., duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi”, shprehet SPAK.

Lini një Përgjigje