Podgorica shfaq gatishmëri për frontin arktik të NATO-s, ndërsa Tirana hesht. Në një aleancë ku pozicionimi politik vlen sa prania ushtarake, heshtja kthehet në mungesë influence...
Deklarata e Podgoricës se është e gatshme të shqyrtojë dërgimin e ushtarëve në Grenlandë, nëse NATO jep dritën jeshile, është më shumë se një lajm teknik. Është një sinjal politik i qartë se Mali i Zi kërkon të jetë i pranishëm aty ku aleanca po zhvendos fokusin strategjik. Edhe pse me kapacitete të kufizuara, Podgorica po vepron sipas logjikës së një aleati që e kupton se sot peshon më shumë gatishmëria sesa potenciali.
Stërvitja e propozuar nga Franca në Grenlandë lidhet drejtpërdrejt me rivalitetin e ri global: rritjen e pranisë së Rusisë në Arktik dhe ambiciet e heshtura të Kinës për ndikim strategjik. Por Grenlanda është edhe simbol i një debati tjetër politik, shumë më delikat: rikthimi në skenë i Donald Trump dhe deklaratat e tij të përsëritura për ishullin, që nga ideja e “blerjes” së tij deri te relativizimi i sovranitetit danez.
Në këtë kontekst, heshtja e Shqipëria nuk është thjesht mungesë reagimi diplomatik. Ajo po lexohet si një qasje servilizmi politik ndaj Presidentit amerikan, një përpjekje për të mos u pozicionuar qartë në një çështje ku Trump ka shfaqur qëndrime të papërshtatshme për standardet euroatlantike. Tirana duket se ka zgjedhur të mos flasë, nga frika se një qëndrim i qartë për Grenlandën dhe rolin e NATO-s mund të perceptohet si distancim nga linja e Uashingtonit trumpist.
Por kjo është një llogari e gabuar. NATO nuk funksionon mbi baza personale apo humor presidencial, por mbi parime kolektive. Dhe kur aleanca diskuton hapjen e një fronti të ri strategjik, heshtja nuk interpretohet si besnikëri ndaj SHBA-së, por si mungesë autonomie politike.
Nëse Podgorica e kupton se gadishmëria publike është kapital politik brenda aleancës, Shqipëria nuk e ka luksin e heshtjes. Në një NATO që po riformaton prioritetet e saj globale, ata që flasin dhe pozicionohen ndikojnë. Ata që heshtin, thjesht regjistrohen në listën e memecëve./Pamfleti
Te gjithe fshatrat pp nxjerrin partizane, pp Haruni?