
Në orët e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Partia Demokratike i ka drejtuar një thirrje të gjithë nëpunësve të administratës që të zbatojnë ligjet dhe të mos vihen në shërbim të patronazhistëve.
Zëdhënësi i fushatës së PD-së, Andi Mustafaj, tha se nëpunësit e shtetit nuk duhet të tremben, duhet të kryejnë detyrat e tyre në zbatim të ligjeve. Por një paralajmërim PD e kishte edhe për patronazhistët, të cilët, sipas saj do të përballen me ligjin.
“Po, një fjalë për nëpunësit. Do doja të kujtonim edhe një herë thirrjen e vazhdueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha, për nëpunësit e administratës.
Ne kemi respektin më të madh për nëpunësit e shtetit që kryejnë detyrën e tyre me ndershmëri, me profesionalizëm dhe në shërbim të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ata nuk duhet të tremben, duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre, edhe një herë, e kryejnë për gjithë qytetarët shqiptarë, kurrsesi për satrapët e patronazhistëve.
Besoj se është e qartë për publikun që vendosmëria e Partisë Demokratike për t’i shkuar deri në fund, për t’i gjetur të gjithë, secilin, dhe për t’i vendosur përballë ligjit është shumë e madhe. Theksoj: shumë e madhe”, tha Mustafaj.
Lini një Përgjigje