TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Qershor 2025, 10:00

Ndryshon buxheti, qeveria i jep SPAK 570 milionë lekë shtesë

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria ka rritur me 570 milionë lekë buxhetin e Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e çuar mbi 2.3 miliardë lekë në total. 

Ndryshon buxheti, qeveria i jep SPAK 570 milionë lekë shtesë
Rama, Dumani

 Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve të planifikuara gjatë pesë muajve të parë të vitit, si dhe për të mbështetur sektorë prioritarë me fonde shtesë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një rishikim të dytë të buxhetit të shtetit për vitin 2025.

Akti normativ për rishikimin e buxhetit ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Sipas Ministrisë së Financave, rreth 11.8 miliardë lekë do të rialokohen për të mbështetur fushat me ndikim të lartë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit, përfshirë sigurinë digjitale, bujqësinë, bizneset e vogla dhe drejtësinë.

Qeveria i ka rritur me 570 milionë lekë buxhetin e Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga më pak se 1.8 miliardë lekë me ndryshimin e buxhetin në 29 prill, buxheti i SPAK është rritur në mbi 2.3 miliardë lekë. 

Në shkresën drejtuar Ministrisë së Financave më herët, SPAK argumenton se një pjesë e parave nevojiten për vënien në funksion të plotë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Janë më shumë se 250 milionë lekë që sipas vlerësimeve të SPAK duhen kryesisht për infrastrukturën digjitale dhe fizike të Prokurorisë së Posaçme.

Akti Normativ

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit, sektori i sigurisë digjitale do të përfitojë nga një paketë financiare prej 5.6 miliardë lekësh, e cila synon forcimin e infrastrukturës teknologjike dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Po ashtu, janë alokuar fonde për projektet që marrin mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe për lehtësimin financiar të ndërmarrjeve të vogla.

Në sektorin e bujqësisë, qeveria ka rritur fondin e garancisë sovrane nga 2 në 3 miliardë lekë. Kjo shtesë do të u mundësojë fermerëve dhe bizneseve të vogla të përfitojnë kredi me kushte të favorshme nga bankat e nivelit të dytë, duke rritur aksesin në financë dhe zhvilluar kapacitetet prodhuese.

Pavarësisht ndryshimeve në shpërndarjen e fondeve, Ministria e Financave thekson se deficiti buxhetor prej 68.1 miliardë lekësh dhe niveli i borxhit publik mbeten të pandryshuar. Rishikimi bazohet në ridestinimin e fondeve të pashpenzuara si pasojë e pezullimeve të investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore.

Qeveria shton buxhetin e SPAK

Një ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij akti normativ është edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka marrë një shtesë buxhetore prej 570 milionë lekësh. Buxheti i këtij institucioni është rritur nga më pak se 1.8 miliardë lekë në mbi 2.3 miliardë lekë.

Këto fonde do të shfrytëzohen për mobilimin e godinës së re, pajisje teknologjike, instalimin e paneleve diellore dhe zhvillimin e infrastrukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vetëm për komponentin digjital dhe fizik të BKH-së, janë parashikuar mbi 250 milionë lekë.

Akti normativ parashikon:

Rialokimin e 5.6 miliardë lekëve për sigurinë digjitale dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme.
Rritjen e fondit të garancisë sovrane për bujqësinë në 3 miliardë lekë, për të mbështetur financimin e fermerëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Rishpërndarjen e fondeve të brendshme për përmirësimin e teknologjisë së informacionit në administratën publike.
Në tërësi, ky rishikim buxhetor synon të adresojë më mirë nevojat aktuale të sektorëve strategjikë pa rritur barrën fiskale apo borxhin publik të vendit.

qeveria i jep spak 570 milionë lekë shtesë

Lini një Përgjigje