
Kreu demokrat Sali Berisha një ditë më parë foli për presionet që Kryeministri Edi Rama po ushtronte ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë, që vëzhguan zgjedhjet e 11 majit, ndërsa pritet të publikohet raporti përfundimtar mbi këtë proces.
“Në këtë fushatë presioni është i implikuar, vetë personalisht Edi Rama dhe ministri i tij i Jashtëm, Igli Hasani. Unë kam informuar se, ky i fundit ka thirrur në zyrë përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve, pasi ka dërguar mesazhe kërcënuese dhe u ka kërkuar llogari për frazat, se këta janë ai sekt që besojnë gënjeshtrat e tyre”, tha Berisha.
Por këto deklarata të Berishës hidhen poshtë, sipas Report TV, nga misioni i OSBE-ODIHR.
Në një përgjigje ekskluzive për Report Tv, misioni i OSBE-ODIHR sqaron se në asnjë rast vëzhguesit nuk janë përballur me kërcënime apo frikësime nga qeveria, duke përgënjeshtruar kështu deklaratën e Berishës se madje Hasani shkoi deri aty sa i mori vëzhguesit në zyrën e tij për t’i kërcënuar.
“Nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet”, thotë OSBE-ODIHR.
Misioni i OSBE-ODHIR thekson se puna e tyre “është e paanshme, e pavarur dhe bazohet në një metodologji të zhvilluar ndër vite dhe të përdorur në çdo vend ku vëzhgojmë.”
Reagimi i plotë i OSBE-ODIHR
Faleminderit për emailin tuaj dhe për interesimin ndaj punës së ODIHR-it. Nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet.
Është e rëndësishme të kuptohet se puna jonë e vëzhgimit të zgjedhjeve është e paanshme, e pavarur dhe bazohet në një metodologji të zhvilluar ndër vite dhe të përdorur në çdo vend ku vëzhgojmë.
Do të doja gjithashtu të theksoja se vëzhgimi ynë i zgjedhjeve nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk ka për qëllim të kritikojë shtetet apo qeveritë, por të ndihmojë në përmirësimin e procesit zgjedhor në të mirë të të gjithë qytetarëve.
ODIHR tani është duke përgatitur raportin përfundimtar. Ky raport do të përmbledhë vëzhgimin e zgjedhjeve dhe do të përmbajë rekomandime, të cilat do të ishim të kënaqur t’i diskutonim me autoritetet shqiptare, partitë politike dhe shoqërinë civile, për të identifikuar mënyra për të mbështetur reformën zgjedhore dhe zbatimin efektiv të rekomandimeve tona në Shqipëri.
Lini një Përgjigje