TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Nëntor 2025, 13:58

Ndëshkimi i gazetarëve nga Greqia: ja pse fajin e ka Edi Rama!

Shkruar nga Pamfleti

Ndëshkimi i gazetarëve nga Greqia: ja pse fajin e ka Edi Rama!

Athina përdor ndalimet politike si mjet presioni ndaj Tiranës, ndërsa qeveria shqiptare nuk ndërton një strategji shtetërore përballë provokimeve...

Ndalimi i gazetarit Artan Hoxha në Kakavijë dhe shpallja e tij “Non Grata” tregon se Greqia po ndjek një plan të llogaritur politik që synon të ulë Shqipërinë në tryezat diplomatike. Qeveria greke shkel lirinë e lëvizjes dhe përdor taktika presioni, ndërsa Tirana zyrtare nuk kundërshton me nota zyrtare dhe nuk ndërton një pozicion të qartë shtetëror për marrëdhëniet me Athinën.

Akti politik i Greqisë që ndëshkon gazetarët shqiptarë me titullin “Non Grata” përfaqëson një sjellje që bie ndesh me standardet europiane dhe me parimet minimale demokratike. Policia greke ndaloi Artan Hoxhën në Kakavijë, e trajtoi me sjellje jonjerëzore dhe i komunikoi ndalimin pa asnjë argument të pranueshëm. Ky veprim nuk le hapësirë për asnjë shpjegim racional. Athina po përdor një mjet që nuk gjendet në praktikën e shteteve të BE përballë gazetarëve që kritikojnë politikën e brendshme të një vendi.

Autoritetet greke shkelin drejtpërdrejt lirinë universale të lëvizjes, të njohur nga Karta e OKB dhe nga traktatet që rregullojnë funksionimin e Bashkimit Europian. Ky standard i shkelur e paraqet Greqinë si problem përtej marrëdhënieve me shqiptarët. Qeveria greke nuk e ndërmerr këtë veprim si reagim emocional. Ajo ndjek një plan të studiuar, që kërkon të vendosë Tiranën në pozitë të nënshtruar dhe të drejtojë perceptimin europian kundër saj.

Athina përdor logjikën e presionit të dyfishtë. Acaron dhe më pas zbut. Godet dhe më pas ofron bisedime. Ky mekanizëm përputhet me sjelljet klasike që shtetet përdorin për të diktuar ritmin e palës tjetër. Vendimi për shpalljen Non Grata të gazetarëve ndodhi para vizitës së ministres së Jashtme Elisa Spiropali në Athinë më 15 dhjetor. Në këtë vizitë nis një tjetër cikël i bisedimeve të vjetra, ku palët rikthehen tek e njëjta listë temash si deti, pensionet, minoriteti dhe Vorio Epiri.

Gjatë këtyre viteve palët shqyrtojnë të njëjtat çështje pa një rezultat përfundimtar. Athina prish çdo proces sapo ndryshon qeveria. Në të njëjtën kohë Edi Rama ruan pushtetin dhe ndryshon vetëm ministrat që i dërgon në tryezë. I pari ishte Ditmir Bushati. Më pas vjen radha e Elisa Spiropalit që hyn në të njëjtin cikël.

Kjo skemë i jep Tiranës vetëm pasoja. Shqipëria nuk merr asnjë përfitim të matshëm. Ajo përballet vetëm me reagimet e Athinës, të cilat planifikohen me kujdes. Rasti Beleri, ndërhyrja në politikën e brendshme dhe mbështetja e strukturave opozitare tregojnë se Athina ndërton çdo hap me llogari të qartë.

Në anën tjetër Edi Rama nuk ndërton një strategji. Ai kërkon mbështetje tek Giorgia Meloni dhe tek Erdogan. Kjo mbështetje ka vlerë si sinjal politik, por nuk zëvendëson një plan të Tiranës. Shqipëria ka nevojë për një qëndrim të miratuar në Parlament ose në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Qeveria duhet të sqarojë nëse synon një marrëveshje detare ose jo. Ky vendim kërkon mandat institucional. Jo vendimmarrje personale.

Edi Rama përpiqet të përdorë gazetarët e ndëshkuar si kapital publik. Në të vërtetë ai mban përgjegjësi direkte sepse nuk kundërshton me nota diplomatike asnjë nga masat e Athinës. Qeveria duhej të kishte reaguar me forcë. Edhe nëse përdor aleancat që citon vetë kryeministri. Erdogan ndëshkon gazetarët në Turqi. Por kjo nuk e pengon Ramën të kërkojë strehe politike pas tij. Kjo sjellje tregon mungesë strategjie dhe mungesë serioziteti në përballjen me Greqinë./Pamfleti

 

edi rama ndëshkimi i gazetarëve greqia

2 Komente

  1. S
    Sateri

    E thjeshte fare. Fusni mik Fred Belerin e Saliun dhe beheni miq me greket.

    1. L
      Lirija me Argiten

      Po, ke te drejte, vetem me TRADHETARET mund ta zgjidhesh.

    Lini një Përgjigje