Nga Manza në terren: drejtuesit e muxhahidinëve flasin për luftën me Teheranin, dosjet për shërbimet iraniane në Shqipëri, planin për Iranin e lirë, dhe përse regjimit të ajatollahëve po i numërohen ditët nga vetë populli i tij...
Dy vjet më parë, Edi Rama i dërgoi policinë, e cila veproi ashpër, por edhe ata nuk ndenjtën duarkryq. Shpërthyen aftësitë e tyre në ndeshjet ‘trup me trup’, dhe e përballuan fort çetën e forcave speciale. Një nga ta, nuk ja doli dot dhe më pas ndërroi jetë si pasojë e plagëve.
Farid Toutunchi, inxhinier ndërtimi me profesion, i studiuar në Bufalo të SHBA, kurd me kombësi, një nga drejtuesit e muxhahidinëve të Manzës, nuk ka qejf ta kujtojë më atë skenë.
Thotë se për dy vjet kanë qëndruar urtë, siç i ka kërkuar Edi Rama publikisht, por tani nuk pyesin më, pasi sipas tyre është momenti për të dalë në terren.
Bashkë me Farid, është edhe Shahiar Kia, përfaqësuesi për shtyp i muxhahidinëve të Manzës, i cili ka studiuar fizikë bërthamore. Pers me kombësi, qytetar i një prej qyteteve më historike të Iranit, Estefan, ku nddhej dhe një bazë bërthamore që u bombardua nga Izraeli dhe SHBA, në pamje duket më i ri seç është në të vërtetë, si edhe vetë Farid.
Shariah ka hequr mustaqet, si për t’i demonstruar analistit Ilir Kulla, i cili tha një natë tek Arjan Çani se “muxhahidinët nuk i hyjnë në punë asnjeriu, sepse janë thjeshte ca pensionistë”, thote ai për Pamfletin.
Ata duket se e kanë marrë me të qeshur, dhe thonë se çfarë nuk kanë dëgjuar këto 12 vjet nga kur kanë mbërritur në Shqipëri.
“Nuk na mërzisin nëse e bëjnë nga mosnjohja, por ka shumë raste që bien pre e makinacioneve të inteligjencës së Iranit. I dimë të gjitha, edhe makinacionet dhe pagesat që bën regjimi në mediat shqiptare”.
Më pas ofrojnë një dosje me emra dhe foto të atyre që i konsiderojnë si kontakte të shërbimit sekret të Teheranit, natyrisht sipas tyre.
Megjithatë, duket se nuk e kanë mendjen shumë aty, pra tek mufkat që këputen në emisionet e televizioneve shqiptare, të cilat këto ditë kanë qenë mjaft aktive me çështjen iraniane. Për të cilën muxhahidinët janë shumë të qartë.
“Ne nuk duam që të ketë luftë me Iranin, pasi është populli që do të vuajë, por as pajtim me regjimin. Jemi për rrugën e tretë. Pra që të jetë populli ynë ai që do ta gjejë rrugën e ndryshimit”.
Pse ju prisni për një ndryshim?
“As që nuk diskutohet, madje më shpejt se sa e mendojnë perëndimorët”, thotë Faridi, duke qeshur poshtë mustaqeve.
Njerëzit tanë në Iran janë shumë dhe janë pjesë e popullit, i cili kërkon lirinë më në fund pas 70 vitesh dhe ajo tashmë është shumë afër.
Në zonën Perëndimore të Iranit, Kurdistan, nga është Farid, ishte Mahsa Amini, vajza që vdiq në dru nga Rojet e Moralit të Ajatollahëve, thjesht se kishte hequr shaminë e kokës. Ajo u kthye në simbolin e protestave të forta të viteve 2022-2023.
“Nuk mund të ketë një ndryshim regjimi me bomba dhe ushtri. Atë duhet ta bëjë populli dhe do ta bëjë shumë shpejt. Ne kemi sinjale nga njerëzit tanë se do të ngrihen, pasi e kanë vrarë frikën. Regjimi është më i dobët se kurrë”, thotë Fahrid dhe nxjerr një dosje të madhe që ka me vete.
“Parlamentet e të gjithë vendeve të mëdha Perëndimore: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Parlamenti Europian, njohin Këshillin për Iranin e Lirë, që e drejton zonja Mirjam Rejavi si përfaqësuese e opozitës së vendit. Ne nuk jemi ca ‘pleq komunistë dhe terroristë’, ne nuk jemi ekstremistë politik dhe fetarë. Ne duam një Iran të Lirë, demokratik, laik, por edhe në paqe me të gjithë. Kemi një program me 10 pika, ku e kemi të përcaktuar të ardhmen e vendit si Republikë Demokratike dhe Parlamentare”, thotë Farid, ndërkohë që ka marrë me vete edhe një koleg që e flet në mënyrë perfekte shqipen.
Përfaqësuesit e regjimit të ajatullahëve i shikojmë në daljet publike ose me xhyben klerikale, ose me veshjen ushtarake, ose me një lloj modeli hybrid me xhaketë allafranga dhe këmishë të stiluar ndryshe, pasi duan të tregohen se nuk janë perëndimorë.
Kurse muxhahidinët, janë të veshur normal ‘alla frënga’, ndërkohë që mjaft prej grave të tyre mbajnë uniformën dhe shaminë në kokë, të cilën e mban edhe liderja e tyre Marjam Rejavi, e cila është pinjolle e një prej familjeve më të mëdha të Teheranit.
Farid thotë se, ata kanë një program që flet për barazinë mes gruas dhe burrit në çdo drejtim në Iran.
“Shiko, ne jemi një popull ku mbi 70% janë të rinj, një fuqi e madhe që jep shpresë për ringritje. Ata duan liri dhe mundësi për ta zgjedhur vetë të ardhmen, jemi populli më i shkolluar, jo vetëm në lindjen e Mesme, por edhe më gjerë. Opozita nuk është vetëm me MEK, që është grupi kryesor, por ka edhe grupime të tjera politike dhe etnike. Në Këshillin për Iranin e Lirë, nënkryetarët janë nga grupet e tjera politike. Aty ka edhe të krishterë. Të gjithë grupet dhe besimet e tjera nuk kanë të drejta në Iran. Madje edhe muslimanët sunitë, xhamitë e të cilëve janë rrëzuar. Antibesimtari më i madh është diktatori”, thotë Farid për Ali Khamenei-n.
Përfaqësuesi më i rëndësishëm i muxhahidinëve këtu, thotë për ‘Pamfleti’-n se është e vetmja media që e trajton me seriozitet dhe thellësi krizën e Iranit, por edhe të vërtetën e muxhahidinëve këtu.
Ndërkaq, në lidhje me daljen e djalit të ish-shahut, si një përfaqësues i opozitës nuk kanë dyshim që: “Ai është një vegël e regjimit të ajatollahëve dhe vepron i koordinuar, me synimin për të frikësuar të rinjtë e Iranit se dali i shahut kërkon të vijë sërish në pushtet.
Ai është multimiliarder dhe jeton në Los Angelos me paratë që i ka vjedhur Iranit. Nuk ka vend ajo familje në Iran, ne kemi qenë ata që e kemi larguar kur morëm pjesë në revolucionin e 1979, e më pas na zbuan ajatollahët. Të cilëve u ka ardhur fundi”.
“Farid, çfarë mendon për bombardimet”?
“Ne ishim të parët që dolëm dhe dhamë të dhënat publike për planin Tavir, një impjant krejt i ri në shkretëtirë për ndërtimin e armëve bërthamore. Dolëm një ditë para se të niste lufta. SHBA dhe Izraeli goditi totalisht objektiva të tjera”, thotë ai, i cili shton: “Regjimi kërkon ta transferojë problemin jashtë Iranit, por atje do të lahen të gjitha, nga populli iranian”./Pamfleti
Lini një Përgjigje