TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Maj 2024, 18:16

Mjaft më me luftë, duhet një pakt i ri për ndarjen e botës

Shkruar nga Maya Krainc
Mjaft më me luftë, duhet një pakt i ri për ndarjen e
Vladimir Putin dhe Joe Biden /

Si dy superfuqi të mëdha globale, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet ta gjejnë sërish një mënyrë për ta ndarë botën në zonat e tyre të ndikimit. Vetëm një planifikim i vërtetë dhe afatgjatë, mund të sigurojë që Uashingtoni të jetë në gjendje ta formësojë të ardhmen në interesin e tij më të mirë...

Pas zgjedhjeve me një rezultat të paracaktuar, Vladimir Putin u betua javën e kaluar për një mandat tjetër 6-vjeçar si president i Rusisë. Natyrisht, fitorja e Putinit ka nxitur akuzat për manipulim të procesit dhe për ndërhyrje politike, faktorë që ndihmojnë në shpjegimin e fitores së tij të thellë me 87.3 për qind të votave.

Nëse ka diçka që na bën të qartë vazhdimësia 24-vjeçare të Putinit në pushtet, ky është fakti se ai dhe regjimi i tij do të jenë në fuqi edhe për të ardhmen e parashikueshme. Por ndërsa lufta e tij në Ukrainë vazhdon, duke mos pasur një fund të qartë në horizont, është më pak e qartë se si Uashingtoni po planifikon të përballet me këtë realitet.

Ekspertët thonë se Uashingtoni duhet të nisë të hartojë një strategji afatgjatë ndaj Rusisë dhe luftës së saj në Ukrainë, duke shfrytëzuar levat e saj politike për të ushtruar presion mbi Putinin, si dhe për të nxitur më shumë diplomaci që të synon t’i japë fund konfliktit.

Vetëm duke parë përtej zgjidhjeve afatshkurtra, Uashingtoni mund të ndryshojë realisht zhvillimet në fushën e betejës në Ukrainë. Që nga pushtimi në shkallë të plotë të Rusisë, SHBA-ja është përqendruar në dhënien ne ndihmës për Ukrainën, që kjo e fundit të rimarrë të gjithë territorin që kishte para 2014-ës.

Ky objektiv vështirësohet nga mungesat sistematike të Kievit  në municioneve dhe trupa.

Por kjo përgjigje, neglizhon një qasje më strategjike ndaj luftës, thotë Andrew Weiss nga Carnegie Endowment for International Peace, i cili foli në një panel të fundit të organizuar nga ky institut. “Për momentin dominon planifikimi në kushtet e emergjencës. Dhe kjo e zbeh mundësinë e shfaqjes së strategjive afatgjata”-tha ai.

Ndërkaq historiani Stephen Kotkin, nënvizoi se është jetike ruajtja e sovranitetit të Ukrainës. Megjithatë, fokusi i dukshëm i Kievit në çlirimin e territorit tashmë të pushtuar, i nxitur edhe nga SHBA, është i gabuar. “Luftërat nuk kanë të bëjnë asnjëherë me rimarrjen e territorit

të humbur. Por me aftësinë dhe vullnetin për të luftuar. Dhe nëse Rusia ka kapacitetin për të luftuar dhe Ukraina rimerr sërish territoret e humbura, Rusia nuk do të ndalojë së luftuari”- u shpreh Kotkin së fundmi në intervistë një podcast të Wall Street Journal.

Dhe duket se Rusia e ka këtë kapacitet. Numri i trupave dhe armëve në dispozicion të saj e tejkalon shumë atë të Ukrainës, dhe liderët rusë shpenzojnë dy herë më shumë për mbrojtjen sesa homologët e tyre ukrainas. Që të vazhdojë t’i rezistojë sulmit rus, Ukraina do të ketë nevojë për një ndihmë të vazhdueshme ushtarake nga Perëndimi.

Ndërsa ndihma për Ukrainën është e rëndësishme, thotë Kotkin, e tillë është edhe pasja e një plani të qartë për përcaktimin e rezultatit të preferuar të luftës. Interesave të SHBA-së mund t’u shërbehet më mirë duke e përdorur levën e rëndësishme politike që ka mbi Rusinë, në mënyrë që të diktojë një rezultat afatgjatë në favor të saj.

George Beebe i Institutit Quincy, që drejton edhe think-tankun Responsible Statecraft, thotë se shqetësimet dhe interesat kryesore të Rusisë nuk përfundojnë me Ukrainën. Moska është shumë e shqetësuar për aleancën e NATO-s dhe kërcënimin që mund të përbëjë ajo për stabilitetin e brendshëm të Rusisë.

Prandaj, janë shumë të rëndësishme negociatat dhe dialogu rreth kufijve dhe limiteve të fuqive të NATO-s dhe Rusisë. Dhe ky proces nuk është i mundur pa SHBA-në dhe Evropën. “Kjo do të thotë që e kemi një levë ndikimi”-thotë Beebe. Kotkin thotë se fuqia e SHBA-së dhe aleatëve të saj qëndron tek ndikimi i tyre politik, ku ata janë shumë më të fuqishëm se Rusia në fushën e betejës.

Shfrytëzimi i këtij ndikimi, do të jetë një mjet shumë i domosdoshëm për arritjen e një marrëveshje, e cila do të jetë e favorshme për interesat e Perëndimit, “që mbron Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj në Evropë, që ruan një Ukrainë të pavarur, por që gjithashtu respekton interesat thelbësore të sigurisë së Rusisë”.

Sipas Kotkin, kjo do të nënkuptonte përpjekjet e reja për një armëpushim që i jep fund luftimeve në terren, dhe që e ruan sovranitetin e Ukrainës. Kjo do të thotë të mos pranohet ligjërisht zotërimi nga Rusia i territorit që ka pushtuar deri tani. Më pas, mund të vazhdojnë negociatat.

Beebe shton se do të jetë i rëndësishëm një traktat i ri, që të përcaktojë se si mund të përdoren forcat konvencionale në Evropë, një traktat që vendos kufizime se ku dhe si mund të vendosen ushtritë.“Rusia ka nevojë për një mirëkuptim me Perëndimin për të përjashtuar ndërhyrjet në punët e brendshme të tjetrit”- thekson Beebe.

Ai shton se shumë i rëndësishëm për arritjen e këtyre objektivave është dialogu me Putinin, për të cilin Beebe thotë se Uashingtoni nuk ka bërë mjaftueshëm për ta lehtësuar. Zyrtarët amerikanë, kanë deklaruar publikisht se nuk planifikojnë që të takohen me Putinin së afërmi.

Madje SHBA-ja i hodhi poshtë deklaratat më të fundit të Putinit mbi gatishmërinë e tij për të negociuar, të cilat ai i shprehu gjatë një interviste me gazetarin Tucker Carlson në shkurt, duke përmendur mosbesimin nëse Putini ka ndonjë qëllim të vërtetë për t’i dhënë fund luftës. “Pavarësisht fjalëve të zotit Putin, ne s’kemi parë asnjë veprim që të tregojë se ai është i interesuar t’i japë fund kësaj lufte. Nëse do të ishte e vërtetë, ai do të tërhiqte forcat e tij dhe do të ndalonte sulmet e tij të pandërprera në Ukrainë”- tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Por asnjëra nga palët nuk ka qenë e hapur për një komunikim serioz. Biden dhe Putin nuk janë takuar për t’u angazhuar në bisedime kuptimplota rreth luftës që nga fillimi i saj. Takimi i tyre i fundit, u zhvillua para fillimit të luftës në verën e vitit 2021 në Gjenevë të Zvicrës.

Weiss thotë se SHBA-ja duhet t’ia bëjë të qartë Rusisë se këto linja komunikimi janë ende të hapura. “Çdo strategji që përfshin zbutjen e marrëdhënieve diplomatike, duhet të jetë e shoqëruar edhe me një vendosmëri serioze dhe ndjenjën se në situatën aktuale nuk shkojmë dot askund”- thotë Weiss.

Fundi i luftës në Ukrainë, do të jetë shumë i rëndësishëm për stabilitetin afatgjatë të botës. Rusia do të mbetet një lojtare e rëndësishme në skenën botërore, shpjegon Beebe, duke pasur parasysh se ajo është fuqia më e madhe bërthamore në botë, dhe një prodhuese kryesore e energjisë.

Prandaj është në fund të fundit në interesin e SHBA-së dhe të Evropës të ndërtohet një marrëdhënie  “që kombinon elementë konkurrues dhe bashkëpunues, dhe ku ne të gjejmë një mënyrë për të menaxhuar dallimet tona, dhe për t’u siguruar që ato të mos kalojnë në një përballjeje ushtarake shumë të rrezikshme”-thotë ai.

Si dy superfuqi të mëdha globale, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet ta gjejnë sërish një mënyrë për ta ndarë botën në zonat e tyre të ndikimit. Vetëm një planifikim i vërtetë dhe afatgjatë, mund të sigurojë që Uashingtoni të jetë në gjendje ta formësojë të ardhmen në interesin e tij më të mirë./Përshtati Pamfleti nga “Resposiblestatecraft”

pakt i ri ndarja e botës

Lini një Përgjigje