Ilir Meta ka rifilluar me sulmet, kërcënimet dhe akuzat ndaj SPAK dhe Altin Dumanit...
Ilir Meta e ka humbur sërish qetësinë. Pas hipjes majë hekurave dhe kërcënimeve ndaj SPAK, duket sikur pati njëlloj tërheqjeje. Por Meta sot ka dalë sërish nga shinat.
Ai ishte i ftuar në një emision dhe nuk la gjë pa thënë për Dumanin dhe SPAK. I pyetur për CEZ-DIA, ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, “për qejf të Edi Ramës”.
“Unë kam qenë në SPAK shumë seriozisht, për një çështje qesharake. Edhe për CEZ-DIA nuk kam asnjë lidhje, jo ka qenë më 2019 kur kam qenë në kulmin e presioneve që të shkelja Kushtetutën. Unë atje jam thirrur për qejfin e Edi Ramës, por kam shkuar për ta respektuar”, tha Meta tek "A2 CNN".
Më tej ai ka vijuar me akuzat ndaj Dumanit. Kryetari i Partisë së Lirisë e cilësoi si kancelar të Ramës.
“Altin Dumani nuk është drejtuesi, por fatkeqësisht kancelari i SPAK-ut, që thjesht përcjellë shkresat për llogari të Edi Ramës. A është thirrur ndonjëherë Edi Rama nga SPAK-u? Edi Rama përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorëve nuk është thirrur asnjëherë nga SPAK. Erion Veliaj duhet të ishte arrestuar para 4 vitesh. Kjo tregon çdo gjë”, tha Meta.
Por, kreu i PL hodhi sërish në "gojë" të SPAK, Monika Kryemadhin. I pyetur nëse i trembet një mase sigurie për bashkëshorten, Meta tha: “Përgjegjësia është individuale për çdo person”.
Më pas ai u pyet për pasurinë. Edhe pse ka vila e pallate, Meta duket se ja faturoi pasurinë Monikës.
“Unë vetëm ¼ kam të një apartamenti kam te pazari i ri me prindërit dhe motrën time. Le t’i marrin të gjitha”, tha ai.
I pyetur nëse e besojnë shqiptarët këtë, Meta u shpreh: "Se çfarë besojnë ja u lëmë atyre. Se kështu thoshit dhe për 2 marsin që nuk do i dalë njeri. Kështu thoshit dhe kur thoja që ai i orës është i kapur. Unë po ju them se e vetmja pasuri që kam është fjala ime. Po po, jo jo. Ato t’i marrin edhe SPAK, edhe FBI. Ti marrë McGonigali. Është takuar me këta ai dhe për CEZ-DIA. Ai është një palaço, unë flas për Ramën se McGonigal e solli Rama. Është një horr, një vagabond”.
I pyetur nëse po hetohet për fshehje pasurie dhe a ka frikë nga burgu, reagimi i tij ishte: “Unë fshehje pasurie? Kanë 30 vite që hetojnë, t'i marrin dhe t’ua u japin popullit. I them SPAK-ut jepjani popullit dhe merrini dhe për vete. Unë frikë nga burgu? Pu pu më habit. Shqiptarët e dinë shumë mirë se kush jam unë. Nuk kam droje se PL e ka zgjidhur çështjen e lidershipit dhe të financimit se janë shqiptarë anembanë botës që do ta mbështesin”./Pamfleti
Lini një Përgjigje