
Në protestën e fundit të zhvilluar nga Partia Demokratike dhe mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha, ajo që u vu re ishte mungesa e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Së fundmi Meta nuk është parë aktiv në tubimet apo takimet opozitare, ashtu siç ishim mësuar ta shihnim më parë.
Në asnjë prej ditëve nuk është parë kreu i Partisë së Lirisë, në tubimet poshtë banesës së ish-kryeministrit Berisha.
Madje as në takimin e sotëm, ku u krijua Federata e bashkuar e opozitës, Meta nuk ishte i pranishëm, pavarësisht se kishte dërguar përfaqësuesit e partisë së tij.
E ndërkohë që Partia Demokratike është angazhuar në organizimin e protestës së datës 20 shkurt, Meta as për këtë nuk ishte prononcuar deri më sot.
Në një status në rrjete sociale, Meta ka rikujtuar vendimin e para dy viteve të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit.
Në fund të reagimit të tij, Meta ka përmendur protestën e 20 shkurtit.
“20 Shkurti është një mundësi e shkëlqyer, që zëri i qytetarëve të dëgjohet”, shkruan Meta në statusin e tij duke reaguar pas disa kohësh për një prej organizimeve të mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Daljet e Metës deri më sot kanë qenë kryesisht për denoncime e akuza ndaj qeverisë, por edhe ato të moderuara.
Ndërkohë që edhe në reagimin e sotëm Ilir Meta sërish nuk ka bërë një deklaratë të plotë për protestën e pritshme të opozitës, duke lënë të kuptohet se së paku do të ketë të pranishëm përfaqësues të Partisë së Lirisë.
Postimi i plotë:
Sot mbushen 2 vjet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e vendimit të Kuvendit monist për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Ky vendim parandaloi në atë kohë një puç të mirëfilltë shteti të iniciuar nga Edi Rama me qëllim asgjësimin e pavarësisë dhe rrëmbimin e të gjitha institucioneve dhe pushteteve te pavarura, me pasoja shumë të rënda për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias, duke u dhënë të drejtë të gjitha vendimeve dhe qëndrimeve të mia gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës, treguan shumë qartë se cili është armiku më i madh i shtetit ligjor, demokracisë, pluralizmit dhe të drejtave të njeriut.
20 Shkurti është një mundësi e shkëlqyer, që zëri i qytetarëve të dëgjohet!
Lini një Përgjigje