
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj i ka dërguar homologes së tij në Kosovë, Vjosa Osmanit një letër urimi me rastin e 16-vjetorit të shpallje së pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e urimit, Begaj shkruan se 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës është një ditë e shënuar për mbarë kombin shqiptar dhe një shembull që tregon se shqiptarët janë kontribuues aktivë për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Begaj gjithashtu shprehet se Shqipërisë do jetë gjithnjë në krahë të Kosovës.
Letra e plotë e presidentit Bajram Begaj:
E nderuar Zonja Presidente!
Kremtimi i 16-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është një ngjarje e shënuar për mbarë kombin shqiptar. Me këtë rast, në emrin tim dhe të qytetarëve të Shqipërisë, Ju shpreh urimet më të përzemërta.
Më lejoni, Zonja Presidente, që nëpërmjet jush, të përshëndes dhe të uroj të gjitha institucionet dhe qytetarët e Kosovës që në këto gjashtëmbëdhjetë vite arritën të ndërtojnë e të konsolidojnë një shtet të pavarur, sovran e me institucione demokratike. Kosova sot është jo vetëm realitet i pakundërshtueshëm, por edhe një shembull se si shqiptarët janë kontribues aktivë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë e më gjerë.
E vlerësoj intensifikimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona, sidomos në kuadër të bashkëpunimit të natyrshëm strategjik, si dy republika të një kombi, fatet e të cilit janë të lidhura pashmangshmërisht me qytetërimin euroatlantik.
Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës, në çdo hap të saj, për përballimin e çdo kërcënimi apo sfide, si dhe për anëtarësimet e reja në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
Me urimet më të ngrohta e të përzemërta për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës e të qytetarëve të saj, Ju lutem pranoni, Zonja Presidente, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Lini një Përgjigje