TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Tetor 2025, 10:17

Çmenduria e radhës e Edi Ramës: goditja e biznesmenëve!

Shkruar nga Pamfleti
Çmenduria e radhës e Edi Ramës: goditja e biznesmenëve!
Edi Rama /

Kryeministri po zëvendëson oligarkët që e ngritën me një rreth të ri biznesesh pranë familjes dhe pushtetit, duke hapur rrugën për kapjen e plotë të ekonomisë dhe shtetit...

Prej disa kohësh, njerëz të afërt me pushtetin e Edi Ramës, që në publik njihen si mbrojtës të tij, po sulmojnë ata që në gjuhën mediatike i quajmë oligarkë. Përkatësisht grushtin e të pasurve që kanë në dorë shumicën e kontratave dhe lejeve për të shfrytëzuar paratë e buxhetit, apo asetet publike të shtetit.

Gjergj Luca, i njohur ndryshe si loloja e Bablokut, por edhe të tjerë, kanë sjellë në publik një diskurs mjaft kritik ndaj disa prej emrave të rëndësishëm të sipërmarrjes në vend, të cilët pak kohë më parë jo vetëm nuk i kanë prekur, por i kanë ngritur në qiell në deklamimet e tyre publike.

Ndërkaq, edhe rasti i goditjes së fortë ndaj “Bacës” Behgjet Pacolli nuk duket i rastësishëm dhe është pjesë integrale e një strategjie të re politike, që nuk do të vonojë të shfaqet me hapa konkretë të vendosur nga lart.

Kjo strategji ka shkaqe të qarta politike dhe vjen si pasojë e një mundësie të re të krijuar, ku duket se mazhoranca nuk është më e varur nga domosdoshmëria e operimit të oligarkëve si ndërmarrje të gatshme apo si mekanizma financiarë. Në mungesë të operimit direkt nga buxheti i pamjaftueshëm, janë përdorur sipërmarrësit e mëdhenj që, nëpërmjet kredive, i kanë dhënë likuiditet tregut dhe ekonomisë në vend. Por këto operacione kanë qenë barrë për qytetarët, pasi kreditë kanë rritur borxhin publik të qeverisë dhe të shtetit.

Edi Rama, pas zgjedhjeve të 11 majit, në disa takime që ka zhvilluar për atë që e ka quajtur “Rilindja 2.0”, ka folur për “fonde të disponueshme” që janë gati të vërshojnë në Shqipëri, sipas një plani investimesh që do të planifikohet nga qeveria.

Asnjë fjalë se nga vijnë këto fonde, çfarë përfaqësojnë, sa janë dhe kush i zotëron. Kjo deklaratë ka shkaktuar menjëherë një tronditje në mjedisin ekonomik, duke shqetësuar sipërmarrësit e mëdhenj që, në këtë treg të vogël, po ndjejnë praninë e “peshkaqenëve” të rinj, ndërsa ata nuk janë më të domosdoshëm për Edi Ramën siç kanë qenë për trembëdhjetë vite.

Në realitet nuk ka asgjë të re, sepse jemi në një skenar të njohur që në gjuhën politike quhet “putinizëm”, i zbatuar jo vetëm nga Vladimir Putini në Rusi, por edhe nga Erdogani në Turqi, apo nga liderë të tjerë autoritarë në vendet e Azisë Qendrore, në Bjellorusi dhe në Serbi, madje në një formë të butë edhe në Hungarinë e Viktor Orbanit.

Putin, sapo mori pushtetin, goditi grupin e oligarkëve që kishin punuar me Boris Jelcinin dhe ndërroi thuajse krejt klasën dominuese të biznesit të madh që operonte në sektorët strategjikë. Kjo solli përplasje me Perëndimin, pasi një pjesë e oligarkëve u strehuan në Europë dhe financuan lëvizje opozitare në Rusi e Ukrainë. Por të gjithë, ose u burgosën, ose u vranë, ndërsa klasa e oligarkëve u ndryshua disa herë në disa faza, derisa u konsolidua në duart e një klani shumë të afërt me Putinin, familjarisht dhe politikisht.

I njëjti model u ndoq nga Erdogani, i cili largoi dhe shkatërroi të gjithë oligarkët që e sollën në pushtet dhe bënë pasuri përmes PPP-ve në infrastrukturë, shëndetësi dhe turizëm. Pasi i etiketoi si gylenistë, pas vitit 2016 ai kreu një spastrim masiv të klasës së oligarkëve që vepronin në Turqi dhe jashtë saj, duke zëvendësuar universitetet, kolegjet dhe asetet e tyre me biznesmenë pranë vetes.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri, ku kompanitë turke që Erdogan mbështeti dhe loboi për të hyrë në sistemin energjetik dhe financiar, sot janë armiqtë e tij.

Edhe Edi Rama, me të njëjtin model, po largon oligarkët që e mbështetën dhe po i zëvendëson me figura të reja pranë familjes dhe rrethit të tij politik. Këtë e ka nisur që me shembjen e grupit politik e ekonomik të Erion Veliajt, i cili në tre mandate krijoi një rreth biznesesh që e mbështetën financiarisht dhe që sot po zhbëhen një nga një.

Nëse vihet re me kujdes, operatorët e rinj që po marrin vendet e “armiqve” janë të lidhur drejtpërdrejt me familjen dhe njerëzit e afërt të kryeministrit.

Shqipëria po hyn në fazën e dytë të putinizmit apo erdoganizmit, një fazë që shumë shpejt do të pasohet nga e treta; ajo e shtrëngimit të madh të lirive politike dhe ekonomike. Kjo do të ndodhë veçanërisht nëse Perëndimi distancohet nga Shqipëria, siç duket se Edi Rama e dëshiron, për të bërë pa pengesa amnistinë fiskale dhe për të futur fluksin e madh të parave të nëntokës në ekonomi.

Me këto para do të blejë gjithçka dhe gjithkënd, përveç atyre që nuk pranojnë, të cilët, si gjithmonë, janë të paktë./Pamfleti

çmenduria e radhës edi rama goditja e biznesmenëve

Lini një Përgjigje