Këshilltari ekonomik i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të karburantit, në kontekstin e situatës së krijuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, duke e krahasuar me masat e marra nga qeveria italiane.
Në deklaratën e tij, Teliti thekson se kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ndërhyrë në favor të qytetarëve duke ulur taksat e karburantit me 25 cent për litër, ndërsa sipas tij, qeveria shqiptare po vepron në drejtim të kundërt.
Ai shprehet se në Shqipëri nafta po përdoret si një instrument për të rritur të ardhurat në buxhet, duke mbajtur çmimet ndër më të lartat në Europë, pavarësisht nivelit të ulët të të ardhurave të qytetarëve.
Teliti ngre gjithashtu shqetësimin mbi barrën fiskale, duke vënë në pikëpyetje arsyen pse shqiptarët paguajnë më shumë taksa për karburantin krahasuar me vende si Italia, ndonëse kanë paga disa herë më të ulëta.
“Kryeministri vazhdon ta përdorë naftën si mjet për të mbushur arkën e qeverisë, duke na mbajtur me çmimet më të larta në Rajon e Europë. Pse ne shqiptarët duhet të paguajmë taksa më të larta se italianët, kur rrogat tona janë disa herë më të ulëta? Kjo nuk është krizë tregu, është vullnet politik.”, shprehet Teliti.
"DY REALITETE: MELONI UL TAKSAT, RAMA SHTON BARRËN! Ndërsa Italia e Meloni-t po ndërmerr hapa konkretë për të ulur taksat mbi karburantin dhe për të lehtësuar qytetarët, në Shqipëri ndodh e kundërta. Kontrasti është i qartë:
Në Itali: Kryeministrja kupton se nafta e shtrenjtë rrit çdo çmim në tryezën e familjeve. Zgjidhja? Ulja e taksave.
Në Shqipëri: Kryeministri vazhdon ta përdorë naftën si mjet për të mbushur arkën e qeverisë, duke na mbajtur me çmimet më të larta në Rajon e Europë.
Pse ne shqiptarët duhet të paguajmë taksa më të larta se italianët, kur rrogat tona janë disa herë më të ulëta? Kjo nuk është krizë tregu, është vullnet politik. Nëse Italia mundet, pse ne jo?", shkruan Teliti.
Lini një Përgjigje