
Rama deri më sot në shqip nuk ka folur fare për paktin. Madje në vend që tu mbushë mendjen shqiptarëve, del në mediat e vendit fqinj dhe u mbush mendjen italianëve...
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni duket se nuk do të humbasë kohë dhe po kërkon që sa më shpejt të nisë punë për implementimin e marrëveshjes së emigrantëve me Shqipërinë.
Meloni ka vendosur ta çojë në Kuvend marrëveshjen për kampin e emigrantëve, gjë kjo që ka tërbuar opozitën italiane.
Në ditët në vijim Meloni do të ilustrojë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatit detajet e protokollit të nënshkruar me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të kalohet për votim. Edhe pse Giorgia Meloni nuk ka thënë asnjë fjalë, mundet që diku mes datës 13-23 dhjetor marrëveshja të hidhet për diskutim.
Duke pasur parasysh kundërshtimin e opozitës, ka shumë gjasa që në dhomën e Montecitorio të ketë një përplasje të fortë mes dy drejtueseve femra; kryeministres Meloni dhe sekretares së PD-së, Elly Schlein.
Por teksa Meloni ka vendosur t’i adresohet Parlamentit, kryeministri shqiptar nuk ka thënë asnjë fjalë për mediat shqiptare. Rama deri më sot në shqip nuk ka folur fare për paktin. Madje në vend që tu mbushë mendjen shqiptarëve, del në mediat e vendit fqinj dhe u mbush mendjen italianëve.
Kujtojmë se Italia pritet të ndërtojë në Shqipëri, brenda pranverës dy qendra për pritjen e emigrantëve që nga Lindja e Mesme dhe veriu i Afrikës synojnë thuajse çdo ditë brigjet jugore të saj.
Sipas kësaj marrëveshje, Shqipëria duket se i jep Italisë kontroll total në Gjadër dhe në Shëngjin. Brenda kampeve do të jenë italianët ata që do të bëjnë ligjin, ndërsa Shqipëria do të kujdeset për sigurinë jashtë.
“Palët bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve të pranishëm njëkohësisht në territorin shqiptar, në zbatim të këtij Protokolli, nuk mund të jetë më i lartë se 3 000 (tre mijë). Strukturat e përmendura në pikën 1, menaxhohen nga autoritetet kompetente të palës italiane, sipas legjislacionit përkatës italian dhe evropian. Mosmarrëveshjet e lindura ndërmjet këtyre autoriteteve dhe subjekteve që do të akomodohen në strukturat e sipërpërmendura, i nënshtrohen ekskluzivisht juridiksionit italian”, thuhet në pakt.
Më tej bëhet me dije se marrëveshja do të zgjasë 5 vite, por me të drejtë rinovimi. Pra me pak fjalë së paku emigrantë do vijojnë të strehohen për 5 vite, por mund të zgjasë dhe më shumë.
“Protokolli do të mbetet në fuqi për 5 vjet. Me përjashtim të rasteve kur njëra nga Palët i komunikon me paralajmërim të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë Protokoll, ky i fundit do të rinovohet në formë të heshtur për një periudhë tjetër 5-vjeçare”, thuhet më tej.
Sipas paktit, shpenzimet për përshtatjen e një apo më shumë strukturave të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të migrantëve do të mbulohen tërësisht nga pala italiane./Pamfleti
Lini një Përgjigje