TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Prill 2025, 16:27

Meloni nuk dorëzohet, pas 3 dështimeve bën gati listën me emigrantë që do vijnë në Gjadër; mes tyre edhe shqiptarë

Shkruar nga Pamfleti
Meloni nuk dorëzohet, pas 3 dështimeve bën gati listën me
Rama-Meloni në Gjadër

Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër.

Ministria e Brendshme në Itali ka përgatitur listën me emigrant që do të vijnë në Gjadër. Sipas medias italiane “La Repubblica”, mes emigrantëve do të ketë dhe shtetas shqiptarë të cilët janë dëbuar nga Italia. Bëhet me dije se këtë herë emigrantët që do të zbarkojnë në Gjadër nuk do të kthehen.

Bëhet fjalë për persona në pritje të dëbimit, të mbajtur tashmë në qendra të tjera italiane të riatdhesimit, të cilat, sipas njoftimit të fundit të Ministrisë së Brendshme, kanë nisur të regjistrojnë kapacitetet e plota.

Departamenti i Lirive Civile dhe Imigracionit i Ministrisë së Brendshme, i drejtuar nga prefektja Rosanna Rabuano, ka bërë gati listën e emigrantëve që do të transferohen në Shqipëri.

Sipas medias italiane, emigrantët që do të vijnë në Gjadër janë: tunizianë, egjiptianë, marokenë dhe shqiptarë. Edhe emigrantët e parregullt shqiptarë mund të përfundojnë në Gjadër, duke pritur që të pranohen nga qeveria në Tiranë. Për ta, riatdhesimi do të ishte më i lehtë dhe sigurisht më pak i kushtueshëm: do të ishin të vetmit që mund të liroheshin në territorin shqiptar.

Për të gjithë të tjerët, sipas rregullave të vendosura nga pakti Meloni-Rama në protokollin aktual, do të duhet sërish kthimi në Itali përpara se të nisin me procedurat e riatdhesimit.

“Prandaj është thelbësore që Italia të forcojë marrëveshjet ekzistuese për të shmangur efektin bumerang të versionit të ri të Operacionit Albania, në rast se emigrantët e sjellë atje do të qëndronin për muaj të tërë pa u dërguar më pas në shtëpi”, shkruan La Reppublica.

Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi është gati të niset për në Egjipt, një nga vendet ku mund të riatdhesohen dhjetëra emigrantë tashmë të dëbuar. Ndryshe nga sa ndodh me procedurat e përshpejtuara kufitare që zbatohen për azilkërkuesit nga vendet e sigurta, në Egjipt nuk është e mundur të riatdhesohen emigrantët që tashmë janë refuzuar dhe ndodhen në territoret italiane. Më pas Piantedosi, në Napoli, do të presë Ministrat e Brendshëm të Med 5 (Itali, Qipro, Greqi, Maltë, Spanjë).

Emigrantët e ardhur në janar të vitit 2025 janë grupi i tretë dhe më i madh që ka ardhur në qendrën e pritjes në Shëngjin. Në dy rastet e mëparshme, tetorin dhe nëntorin e kaluar, gjykata italiane kërkoi kthimin e emigrantëve nga kampet e pritjes në Shqipëri duke i dhënë kështu një goditje të fortë planeve të Melonit për të dërguar jashtë vendit azilkërkuesit.

Qeveria italiane u ndalua disa herë nga gjykatat për të sjellë emigrantë në Shëngjin dhe Gjadër. Shkak i ndalimit dhe kthimit të emigrantëve ishin listat e vendeve të origjinës së azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.

Në vitin 2023, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama arritën një marrëveshje për ndërtimin e këtyre qendrave, me qëllim që Italia të menaxhojë fluksin e emigrantëve jashtë territorit të saj, duke shfrytëzuar Shqipërinë si një qendër pritjeje. Kjo marrëveshje ngjalli kritika të shumta nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të cilat e shohin këtë projekt si një përpjekje për të zhvendosur problemin e emigrantëve në vende më të dobëta në aspektin ligjor dhe ekonomik./Përshtati "Pamfleti" nga "La Reppublica".

Lini një Përgjigje