
Mbahet këtë të hënë, 14 Prill, në Luksemburg, konferenca e katërt ndërqeveritare BE-Shqipëri, ku pritet të hapet grupkapitulli i dytë të negociatave “Tregu i Brendshëm”. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili kryeson delegacionin shqiptar të përbërë nga ministra, zëvendës ministra dhe drejtues të punës për kapitujt përkatës.
Fillimisht, kreu i qeverisë është ndalur në Bruksel, ku u prit nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin mbajti edhe një prononcim të shkurtër për mediat. Rama tha se Shqipëria është e përkushtuar të përmbushë të gjitha detyrat për anëtarësimin në Union, ndërsa Costa, nga ana tjetër, njoftoi se në mes të majit do të vizitojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më pas, kryeministri do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila do të nisë në orën 18:00, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos. Në nisje të koferencës, kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse në emër të Shqipërisë, ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosłaë Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE.
Në përfundim të punimeve të Koferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosłaë Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, parashikuar në orën 19:30.
Grupkapitulli i II-të I negociatave përmban:
- Kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave)
- Kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve)
- Kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime)
- Kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit)
- Kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare
- Kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale)
- Kapitulli 8 (Politika e konkurrencës)
- Kapitulli 9 (Shërbimet Financiare
- Kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).
Axhenda:
09.16 – Doorstep me z. Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Europian;
18.00 – Hapja e Konferencës Ndërqeveritare 4: Grupkapitulli II-"Tregu i Brendshëm”.
19.30 – Konferencë e përbashkët shtypi e Kryeministrit Rama me Radosłaë Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë(mban Presidencën e Këshillit të BE), dhe Marta Kos, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin
Lini një Përgjigje