TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Nëntor 2023, 12:24

Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët, Lezha paralajmëron protestë: Nuk pranojmë përdhosjen e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët, Lezha paralajmëron
Rama dhe Meloni

Pas marrëveshjes së firmosur nga Edi Rama me homologen e tij italiane Georgia Meloni për pritjen e refugjatëve në Shëngjin, banorët e Lezhës kanë njoftuar një protestë ditën e nesërme.

Ata deklarojnë se nesër është ‘dita e marshimit për vendin tonë, qytetin ku jemi lindur e rritur!’.

Sipas tyre shndërrimi i ‘Lezhës së Besëlidhjes në një Lampedusa të dytë është e papranueshme!

'Shndërrimi i Shëngjinit në kazan emigrantësh, nuk do të lejohet! Nesër marshojmë për të ardhmen tonë, të familjeve tona, për Lezhën!  Mos prano përdhosjen e Lezhës dhe Shqipërisë! Bashkohu nesër ne orën 15:00, në shëtitoren e Drinit, tek ish aneksi dhe MARSHO!’, thuhet në njoftimin që i paraprinë protestës.

Marrëveshja e nënshkruar 6 nëntor në Romë nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama parashikon ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave pritëse për migrantët, që synojnë të hyjnë në Itali nga deti Mesdhe.

Sipas kësaj marrëveshjeje të diskutueshme të dyja qendrat do të vihen në funksionim nga pranvera e vitit 2024 dhe do të menaxhohen nga pala Italiane. Gjithsej do të pranohen në to deri në 3000 migrantë për një afat të kufizuar në kohë.

Në Itali gjatë këtij viti kanë mbërritur më shumë refugjatë se çdo herë tjetër. Që nga janari 2023, sipas të dhënave të autoriteteve italiane, janë regjistruar 145.000 migrantë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një një viti më parë numri i refugjatëve të regjistruar ka qenë 88.000. Sipas rregullave të BE-së vendi i parë pritës i migrantëve është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave për azil.

Partia e ultra së djathtës Fratelli d'Italia (FDI) e kryeministres Meloni fitoi zgjedhjet më 25 prill 2022 kryesisht me premtimin, se do të kufizojë migracionin.

marrëveshja rama-meloni lezha

Lini një Përgjigje