TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Korrik 2024, 12:45

Mandati i Olta Xhaçkës, zbardhet vendimi i Kushtetueses mbi shkeljen që ka bërë Kuvendi në favor të ish-ministres

Shkruar nga Pamfleti

Mandati i Olta Xhaçkës, zbardhet vendimi i Kushtetueses mbi shkeljen

Gjykata Kushtetuese u shpreh se Kuvendi nuk ka zbatuar vendimin e GJK në lidhje me mandatin e ish-ministres, kur votoi për të mos dërguar raportin në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e arresyetuar për mandatin e Olta Xhaçkës, ku më 10 korrik u rrëzua vendimi i Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese u shpreh se Kuvendi nuk ka zbatuar vendimin e GJK në lidhje me mandatin e ish-ministres, kur votoi për të mos dërguar raportin në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata konstaton se në thelb të kërkesës është vënë në diskutim fuqia detyruese e vendimit të Gjykatës që ka përcaktuar detyrimin e Kuvendit për të iniciuar një proces kushtetues të kontrollit të papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, çka ka qenë, sipas kërkuesit jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, edhe shkaku i lindjes së mosmarrëveshjes kushtetuese mes palëve, për rrjedhojë, sipas kërkuesit jo më pak se 1/5-ta e deputetëve, ka sjellë edhe nevojën për interpretimin përfundimtar të dispozitave kushtetuese.

Po ashtu Gjykata vëren se procedura për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Kuvend është vënë në lëvizje përmes dy mocioneve të paraqitura nga jo më pak se 1/10-ta e deputetëve, mocione këto që janë nënshkruar nga 29 deputetë gjithsej.

Në vijim, Gjykata vëren se Këshilli për Mandatet ka vendosur t’i shqyrtojë mocionet në një procedurë të vetme parlamentare. Për rrjedhojë, referuar deputetëve konkretë nënshkrues të mocioneve dhe atyre nënshkrues të kërkesës, Gjykata vëren se kërkesa për sa i përket kërkuesit jo më pak se 1/10-ta e deputetëve mban nënshkrimin e të paktën 14 deputetëve të cilët kanë vënë në lëvizje edhe procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Për sa më sipër, Gjykata çmon të pabazuar prapësimin e subjektit të interesuar, Kuvendit, për moslegjitimimin e kërkuesit.

Gjykata, po ashtu, vëren se në mosmarrëveshjen e re të krijuar për ushtrimin e kompetencës kushtetuese për shkak të vendimmarrjes së kundërshtuar të Kuvendit, kërkuesi jo më pak se 1/10-ta e deputetëve është palë në konflikt. Nisur nga kjo, pretendimet e kërkuesit se vendimi nr. 41/2024 i Kuvendit ka krijuar konflikt kompetence, kanë natyrë kushtetuese dhe të drejtat e pretenduara si të cenuara parashikohen drejtpërdrejt nga Kushtetuta, çka përbën argument të mjaftueshëm për të legjitimuar kërkuesin në vënien në lëvizje të gjykimit kushtetues në kuptim të nenit 70, pika 4, të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Gjykata çmon të pabazuar prapësimin e subjektit të interesuar, deputetes Olta Xhaçka, për moslegjitimimin e kërkuesit.

Vendosi:

Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të
Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt jo më pak se 1/10-ta e deputetëve.

Shfuqizimin e vendimit nr. 41/2024, datë 11.04.2024 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” të Kuvendit të Shqipërisë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të
mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Lini një Përgjigje