
Sipas ambasadorit, në fund ata që dëmtohen janë shqiptarët, pasi kaosi politik po bllokon investimet...
Sali Berisha dhe Edi Rama kanë marrë një goditje të fortë sot nga Londra. Ish-kryeministri po sulmon fortë SPAK dhe ka futur në kaos Kuvendin, ndërsa kreu aktual i qeverisë po e ndihmon në destabilizimin politik.
Por, për ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith të dyja palët e kanë gabim. Diplomati britanik vlerëson se skenat me tymues, zhurmues dhe bllokim të Foltores nuk i shërbejnë demokracisë.
“Lloji i skenave që kemi parë në Parlament nuk i përshtatet një demokracie moderne. Ne duam të shohim funksionimin e Parlamentit dhe duam që të gjitha partitë apo fraksionet të bashkohen për të mirën e përbashkët dhe të kenë një bisedë civile për strukturat dhe procesin. Ne gjithmonë kemi nxitur që të ketë një opozitë efektive, një opozitë që mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe që mund të jetë gjithashtu një alternativë e besueshme ndaj qeverisë. Kjo është diçka vërtetë e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Këtë duan dhe meritojnë shqiptarët”, tha ambasadori.
Po roli i qeverisë? A duhet të jetë ajo më mikpritëse apo dialoguese me opozitën? Sipas ambasadorit, në fund ata që dëmtohen janë shqiptarët, pasi kaosi politik po bllokon investimet.
“Është vërtetë e rëndësishme që secili të luajë rolet e tij dhe të marrë përgjegjësitë e tij seriozisht dhe të gjejë mënyra për ta bërë Parlamentin të funksionojë. Tani është momenti, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’i çojmë para këto çështje me rëndësi që i keni identifikuar, por kjo gjithashtu ndikon në besimin e biznesit. Kam folur me shumë investitorë britanikë dhe ndërkombëtarë që duan të investojnë në Shqipëri, por ky destabilitet politik nuk ndihmon. Pra, unë dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të gjejnë një mënyrë për të zhvilluar biseda, për të mundësuar funksionimin e Parlamentit dhe për të mundësuar funksionimin e demokracisë”, tha King-Smith në një intervistë për “Vizion Plus”.
Ambasadori u ndal dhe te drejtësia. Ai ka folur mbi sulmet që Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë po bëjnë ndaj SPAK. Alastair King-Smith tha se ata e mbështesin institucionin, duke shtuar se korrupsioni është shqetësues.
“Ne e mbështesim plotësisht SPAK-un dhe punën e tij të rëndësishme. SPAK-u duhet të lejohet të vazhdojë punën pa frikë apo favore. Ata janë një institucion i pavarur dhe kjo duhet respektuar. Dhe sigurisht që krimi i organizuar dhe korrupsioni janë vërtetë shkatërrues për shoqërinë. Ata ndikojnë në mënyrën se si mund të funksionojë demokracia, se si mund të funksionojnë institucionet, ata janë në shkelje të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, dhe gjithashtu lënë gjurmë në ekonomi dhe u mohojnë qytetarëve mundësitë që i meritojnë dhe u nevojiten njëkohësisht. Pra, është shumë e rëndësishme që puna të ecë vërtetë përpara në të ardhmen”, tha King-Smith.
Sa i takon Reformës Zgjedhore, ambasadori kërkoi bashkëpunim nga të gjitha palët.
Lini një Përgjigje