
Ne mirëpritëm thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie...
Ndërkombëtarët kanë dalë sot me një mesazh të fortë për politikën. SHBA, BE dhe Britania e Madhe kanë kërkuar konsensus për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera që presin të kalojnë në Kuvend.
Por reagimi më i fortë ishte i Ambasadës Britanike, reagim i cili i drejtohet si mazhorancës ashtu dhe opozitës, por që duket se godet fort kryeministrin. Dje ambasadori britanik ishte në sallën e Kuvendit, ku dhe pati tensione.
Sot ambasada e ka bërë të qartë se qeveria do të duhet të japë llogari para Kuvendit. Rama refuzon komisionet hetimore dhe po ashtu nuk bën asnjë hap pas, duke i dhënë Berishës mundësi të krijojë tensione. Por për britanikët, Kuvendi është vendi që kontrollon qeverinë dhe ai duhet të jetë funksional, pa sherre dhe konflikte.
“Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Ne mirëpritëm thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh”, shprehet ambasada britanike.
Ashtu si SHBA-BE edhe ata kanë përgënjeshtruar Lulzim Bashën. Ambasada deklaron se nuk ka pasur asnjë ndërmjetësim me politikën që të rinisë puna për reformën zgjedhore.
“Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe konstruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët", shprehet ambasada.
Sa i takon reformës zgjedhore, më herët ishte zyra e shtypit të Ambasadës Amerikane që rrëzoi mundësinë e ndërmjetësimit të selisë diplomatike në tejkalimin e krizës në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Në përgjigje për mediat, zyrtarët e Ambasadës kanë deklaruar se do të vijojnë të takohen rregullisht me kryetarët, bashkëkryetarët dhe anëtarët e komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë Komisionin Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke nënvizuar se takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi.
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, nënvizon zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe delegacioni i BE në Tiranë duke hedhur poshtë deklaratat e bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve", thuhet në reagimin e delegacionit të BE. /Pamfleti
Lini një Përgjigje