
Ish kryeministri, Sali Berisha është thirrur nga SPAK për t’u pyetur të enjten.
Por, mbrojtja e Berishës ka kërkuar shtyrje të seancës, pasi avokatët nuk mund të jenë të pranishëm.
Kërkesën drejtuar Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, e ka konfirmuar për mediat, avokati Sokol Mëngjesi. Sipas tij, kanë një agjendë tjetër dhe nuk mund të vijnë në orën 10:00 për të shoqëruar Berishën.
Ndërkohë, SPAK ka thirrur për të enjten edhe dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezin.
Berisha dhe Malltezi ndodhen në “arrest shtëpie”, pasi ndaj tyre rëndon akuza e korrupsionit në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv, Partizani.
Kujtojmë se prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Nga ajo ditë, Berisha ka mbajtur fjalime me mikrofon nga dritarja për disa përfaqësues të paktë në numër, të Rithemelimit, konsideruar kjo shkelje e vendimit të gjykatës, sipas të cilit nuk i lejohet komunikimi me persona të tjerë përveç rrethit të ngushtë familjar që ka brenda të njëjtës banesë ku po vuan masën e sigurisë.
Sipas vendimit të gjyqtares Irena Gjoka, gjithashtu e sulmuar publikisht nga Berisha, policia duhet të kontrollojë nëse ish-kryeministri po e zbaton masën, e të parën trokitje në derë blutë e patën 6 ditë nga vendimit. Oficerët e policisë përgatisin një raport për SPAK, ku pritet të përfshijnë fjalimet e njëpasnjëshme të Berishës nga dritarja, në shkelje të vendimit të gjykatës.
Lini një Përgjigje