SPAK ka njoftuar ish-Kryeministrin Sali Berisha se do të merret në pyetje ditën e enjte (18 Janar) për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
SPAK gjithashtu ka njoftuar dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi për ta pyetur ditën e nesërme (17 Janar) në cilësinë e personit nën hetim.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë të vendosur nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Ju rikujtojmë ditën e sotme avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të SPAK, për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.
Lidhur me çështjen e kompleksit Partizani, SPAK arrestoi dhe më pas e la në arrest shtëpie Jamarbër Malltezin, ndërsa Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi janë ndaluar të udhëtojnë jashtë shtetit dhe detyrohen të paraqiten në policinë gjyqësore.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë vendosi nën sekuestro preventive 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari të tij bankare si dhe kuotat e kapitalit themeltar të tij në tre shoqëri.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive.
Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.
Kompleksi sportiv Partizani me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh, për të cilin hetuesit dyshojnë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.
Lini një Përgjigje