
Partia Demokratike e Rithemelimit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, nga çështja e depozituar nga deputetët e opozitës lidhur me paktin “Rama-Meloni” për emigrantët. Kjo kërkesë vjen pas publikimit të pamjeve ku gjyqtarja Xhaferllari ka festuar bashkë me partnerin e saj Enkelejd Alibeaj në festën politike të organizuar nga Lulzim Basha për fundvit.
Në kërkesën e kryetares së komisionit të Apelimit në PD Adriana Kalaja, theksohet se Marsida Xherllari është në konflikt interesi me grupin e deputetëve të PD-së, drejtuar Gazment Bardhi dhe sipas saj duhet përjashtuar nga gjykimi i çështjes.
“Mjafton të verifikoni vendimet e mara nga znj. Xhaferllari në muajt e fundit do kuptoni se jemi përpara një shpërdorimi të rëndë të detyrës. Kështu, veprimet në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit agravohen nga znj. Xhaferllari, në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese më datë 22.12.2023, ku është marrë në shqyrtim kërkesa e grupit të deputeti Basha, pjesë e të cilit është edhe deputeti Alibeaj, ose bashkëjetuesi i të kallëzuarës prej meje, znj. Xhaferllari, dhe e kjo e fundit, jo vetëm që nuk dorëhiqet, ashtu si e përcakton dispozita ligjore, por bën edhe relatoren në këtë gjykim”, thuhet në kërkesë.
Kalaja thekson se i është drejtuar me një kërkesë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ashtu edhe Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, për t’i vënë në dispozicion shkeljet e vijueshme nga ana e anëtares së kësaj gjykate, znj. Marsida Xhaferllari.
Teksa citon ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve, Kalaja kërkon në shkresën drejtuar kryetares së Kushtetuese Holta Zacaj, Përjashtimin e gjyqtares Marsida Xhaferllari, nga çështja për shqyrtimin e paktit me Italinë për emigrantët e kërkuar nga 30 deputetë të Partisë Demokratike, për shkak të konfliktit të interesit që ajo ka me grupin e deputetëve të Partisë Demokratike.
Seanca e Gjykatës Kushtetuese për paktin “Rama-Meloni” është parashikuar të mbahet të enjten e 18 dhjetorit në orën 10:00.
Lini një Përgjigje