Kreu i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka konfirmuar se do të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se është i gatshëm të marrë çdo përgjegjësi politike, duke theksuar se kandidimi i tij vjen si vijim i angazhimit të mëparshëm në kryeqytet.
“Nuk na duhet bashkimi me asnjë subjekt politik. Unë jam i gatshëm të marr çdo lloj detyre. Më kanë propozuar për të qenë kandidat nga Lëvizja Bashkë. E kam bërë njëherë këtë përvojë në 2023-in. E përjetoj Tiranën si çdo qytetar tjetër. Jam i sigurt se do të jetoj mes qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Qori.
Ai shtoi se kushdo kandidat që do të vijë nga Partia Socialiste do të mbajë përgjegjësi për qeverisjen aktuale.
“Kushdo që të kandidojë nga PS do të marrë përgjegjësitë e Ramës. Sikundër kushdo që të dalë nga kopshti i Berishës”, deklaroi ai.
Paralelisht, Qori ka folur edhe për diskutimet e mëparshme me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ku në fokus kanë qenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe financimi i partive, duke kritikuar partitë e mëdha për mungesë reformash konkrete.
Sipas tij, “Lëvizja Bashkë” nuk synon aleanca politike, por një përballje të drejtpërdrejtë në zgjedhje.
“Pata një ftesë nga zoti Gonzato dhe tema ishte për ndryshimet e mundshme në kodin zgjedhor dhe sistemin politik në Shqipëri. Për ne ka shumë rëndësi ligji i financimit të partive. PS dhe PD janë ulur në një tryezë dhe po rrahin ujin në hava. Neve përveçse na mungon një ligj i financimit për partitë na mungon edhe një propozim serioz që vetëm ne si lëvizje e kemi shtruar më herët.
Ne propozojmë që të kemi rregulla më të forta dhe penalitete për financimin e paligjshëm. Kemi një varg propozimesh që shpresojmë mos të bien në vesh të shurdhër. Unë shkoj në me kënaqësi të madhe dhe diskutoj në mënyrë serioze, por qëndroj me këmbë në tokë. Nuk i dua t’i përdor takimet me përfaqësues ndërkombëtar për politikë. Nëse pala tjetër e publikon takimin është e drejta e tyre”, tha Qori.
Lini një Përgjigje