Kryeministri Edi Rama kja reaguar sërish ndaj organizatës Reporterët Pa Kufij për raportin e rënies së lirisë së shtypit në vendin tonë.
Teksa liria e shtypit është një nga kushtet kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE, Rama ka dalë me të tjera të dhëna duke cituar një start up shqiptar i bazuar në inteligjencën artificiale, i cili ka monitoruar mbi 4,500 artikuj në 43 media gjatë 66 ditëve ku opozita dominon.
Reporterët pa Kufij i janë përgjigjur kryeministrit, Edi Rama lidhur me raportin e tyre për lirinë e medias, ku Shqipëria renditet në vendin e 83-të, duke shënuar një rënie me tre pikë në krahasim me një vit më parë.
“Kryeministër Edi Rama, ne masim lirinë e medias, jo komunikimin e qeverisë. Renditja e Shqipëria në vendin e 83-të (-3) në Indeksin 2026 pasqyron sulmet politike, abuzimin me organet e zbatimit të ligjit, transparencën e ulët të medias dhe kërcënimet ndaj gazetarëve,” thuhet në reagimin e Reporterëve ka Kufij.
Raporti i fundit i "Reporterët pa Kufij” (RSF), tregoi se Shqipëria ka bërë sërish hapa pas në indeksin e lirisë së medias, duke u renditur e 83-ta nga 180 vende. Dy vjet më parë raporti e rendiste Shqipërinë të fundit në Europë.
"Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike”, thuhet në raport.
Liria e medias bën pjesë në të drejtat themelore që vlerësohen në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave me BE-në. Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria vijon të përballet me sfida në këtë fushë. Në këtë kuadër, iniciativa për përmirësim po zhvillohen edhe në nivel institucional dhe akademik, përfshirë një projekt të bashkëfinancuar nga BE dhe Këshilli i Evropës që synon forcimin e dialogut mes institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama
Duke qenë se dje po mendonit për mua, gjë që e vlerësoj sinqerisht, këtë mëngjes e gjeta veten duke menduar për ju, për shkak të një burimi të jashtëzakonshëm të bazuar në inteligjencën artificiale – një startup shqiptar që mund të jetë shumë i dobishëm për misionin tuaj – i mbështetur mbi fakte të thjeshta empirike ? https://melloë-figolla-74f91c.netlify.app dhe në versionin anglisht për ta bërë më të thjeshtë për ju https://thunderous-ganache-18fd87.netlify.app
Mbi 4,500 artikuj të analizuar, në 43 media, përgjatë 66 ditëve monitorim.
Zëri i opozitës: 3.57 herë më i lartë se ai i qeverisë.
Burimet kritike: 4.67 herë më dominuese se ato proqeveritare.
Toni kritik: 6.4 herë më i fortë se mbulimi pozitiv.
Më shumë se 15 figura të opozitës të pranishme vazhdimisht në tituj.
Përmendjet për opozitën: 1,828 kundrejt 925 për Kryeministrin dhe qeverinë të marra së bashku.
Madje, edhe individualisht, liderët e opozitës rezultojnë më të pranishëm, ku njëri prej tyre i tejkalon përmendjet e Kryeministrit në media.
Dhe në vetë titujt:
368 citime të drejtpërdrejta të opozitës kundrejt 108 të qeverisë, pra një dominim 3.4 herë më i madh.
Akuzat më të ashpra kundër qeverisë dhe kundër meje personalisht qarkullojnë lirshëm në rreth 70 tituj, ndërsa nuk ekziston asnjë provë për ndonjë nivel simetrik sulmesh ndaj mediave antigovernmentale, apo edhe ndaj kundërshtarëve politikë. Sepse thjesht nuk ka.
Dhe sipas rregullatorit shtetëror, AMA, opozita mbajti 60.12% të kohës televizive politike gjatë muajit mars, ndërsa vetë qeveria zinte një pjesë shumë më të vogël.
Këto nuk janë perceptime.
Janë fakte të matshme.
Në një mjedis vërtet “me media të kapura”, asgjë nga këto nuk do të ekzistonte.
As dominimi i zërave të opozitës.
As mbizotërimi dërrmues i narrativave kritike.
As qarkullimi i lirë i akuzave ekstreme.
Dhe sigurisht, jo shumica e hapësirës politike televizive për opozitën.
Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet për pronësinë e mediave dhe kushtet e punës së gazetarëve. Këto janë çështje reale dhe duhen adresuar. Por të injorosh plotësisht realitetin empirik dhe ta paraqesësh Shqipërinë si një vend me media të kapura dhe gazetari nën sulm politik?
Në rastin më të mirë, kjo e bën analizën jo vetëm të paplotë, por edhe më të varfër. Dhe si pasojë, vetë renditjen të paragjykuar.
Kaq kisha.
P.S. Do të jetë për një ditë tjetër të shpjegoj teorinë time se si mund të fitosh zgjedhje duke bërë pikërisht të kundërtën e kontrollit të mediave: duke lejuar që e gjithë vala e helmimit politik antigovernamental të mbushë hapësirën publike dhe, në këtë mënyrë, t’u tregojë qytetarëve të zakonshëm pavlefshmërinë e atyre që qëndrojnë pas saj.
Lini një Përgjigje