TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Qershor 2024, 20:04

Largimi i Alibeajt nga Grupi Parlamentar i PD-së, Boçi: Ikje jo burrërore, iu shmang përgjegjësive

Shkruar nga Pamfleti

Largimi i Alibeajt nga Grupi Parlamentar i PD-së, Boçi: Ikje jo

Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në PD, nga vendimi i gjykatës për vulën, non grata e Berishës në Britani dhe situata gati një vit nga zgjedhjet e ardhshme.

Boçi tha se nuk janë marrë në shqyrtim faktet e dorëzuara nga avokatët e Berishës, teksa shton se ato që sjell Britania janë të pavërteta dhe ulëritëse.

“Nuk është vendimi i Apelit, por një komision administrativ. Nuk kemi një vendim gjykate. Nuk mund të kemi një apel kur nuk kemi një vendim të shkallës së parë. Nuk janë marrë në shqyrtim faktet e dorëzuara nga Berisha me avokatët e tij. Hapat juridik ndiqen më vonë. Berisha në artikulimet e tij e ka konsideruar si një çështje personale. Nuk ka lobuar dhe ka preferuar të ndjekë rrugën ligjore. Kjo është një çështje që nuk ndikon në veprimin politik të PD-së. Kjo gjë është relativizuar së fundmi, si nga rastet analoge të non gratave që nuk kanë efekte elektorale. Si nënkryetar kam arsye politike për të mos qenë i shqetësuar për këtë. Ato që sjell Britania janë jo vetëm të pavërteta, por janë ulëritëse”, tha Boçi.

Berisha, 6 muaj jashtë Parlamentit, a do t’i digjet mandati?

“Sjellja me mandatin e Berishës është në vijimësi. Nuk habitem që Nikolla ta kërkojë heqjen e mandatit. Ligji dhe kushtetuta e përcaktojnë qartë se mandati i zotit Berisha mbaron kur mungon 6 muaj pa arsye dhe kur ka një vendim gjykate të formës së prerë dhe të dyja këto kushte nuk plotësohen. Mungesa në parlament nuk ka qenë pa arsye, por një ndalesë nga një organ i cili duhet ta lejonte”, u shpreh ai.

“Basha dhe Alibeaj janë vetpërjashtuar nga PD-ja”

“Ne nuk përjashtojmë njeri. Ata kanë përjashtuar Berishën dhe kanë marrë vendime për këtë. Ne kemi deklaruar se nuk përjashtojmë njeri dhe sot kemi një formalizim të këtij vetformalizimi. Ishte i pritur. Ndërkohë, ata janë zgjedhur me votat e PD-së dhe kjo është shumë themelore. Një ikje e tillë ka ndodhur shumë herë në vitet e pluralizmit, por jo në formën që ka ndodhur me Alibeajn, pasi është një ikje, jo burrërore, por një ikje që i shmanget përgjegjësive”, vijoi Boçi.

A ka vend sot në PD për Bashën?

“Basha është vetëpërjashtuar, por ende nuk e ka formalizuar si Alibeaj. I ka marrë zvarrë demokratët në kaq vite. Ka nevojë për formalizim. Ikja e Bashës është shumë afër dhe është një gjë që edhe ai e ka shprehur gjatë kësaj kohe me tendencën për një parti të re. Ai i ndryshon deklaratat. Ai ka lëvizur shpeshherë nga A te ZH. Gjithmonë kështu ka ndodhur dhe nuk duhet të habitemi për këtë. Për të tjerë vazhdon thirrja dhe apeli pasi janë pjesë të PD-së. Për ta gjithmonë ka pasur dhe ka vend në PD”, u shpreh ai.

Më pak se një vit nga zgjedhjet, ku ndodhet sot PD?

“Çdo forcë politike gjithmonë është vonë për zgjedhjet. Edi Rama po punon me administratën. Madje me paratë e buxhetit po punon edhe përtej Shqipërisë. Çdo aksion i opozitës ka vlerën e vet, madje nuk mund të ndërpritet kur ka çështje themelore. Betejat e opozitës duhet të vazhdojnë, jo vetëm në këto formate, por edhe më të mëdha. Ka probleme, Vlora kishte 3 ditë pa ujë, Elbasani ka probleme të tjera. Ne jemi në rrugën e duhur dhe rruga e duhur është që të kemi aksione të tjera politike. Ne jemi duke artikuluar pjesë të caktuari të programit të partisë. Megjithatë, këtu tek ne nuk është se është fituar gjatë këtyre viteve me program. Shumë i mirë ishte i vitit 2021, por kush e dëgjoi dhe reflektoi? Këtu mungon sistemi i zgjedhjes. Ai është i rëndësishëm dhe programet e PD gjithmonë kanë qenë thelbësore”, tha Boçi për “A2 CNN”.

Lini një Përgjigje