TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Qershor 2024, 19:23

Çfarë po gatuan Fatmir Xhafaj me komisionin antikorrupsion?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë po gatuan Fatmir Xhafaj me komisionin antikorrupsion?

Nesër mbledhja e radhës e komisionit antikorrupsion. Xhafaj ka kërkuar që të ketë faqe më vete në ueb dhe një platformë të komunikimit me publikun...

Shtohet akoma më tepër misteri dhe dyshimet mbi komisionin e njohur tashmë si komisioni “Xhafaj”.

Pavarësisht deklaratave të bukura të Ramës për t'u bërë bashkë kundër korrupsionit, PS po ndjek një strategji të dyshimtë me komisionin antikorrupsion. Përveç miratimit me urgjencë të rezolutës dhe ngritjes së komisionit, edhe puna po vijon me shpejtësi nga ana e socialistëve, të cilët po veprojnë pa opozitën.

Nesër do të mbahet mbledhja e dytë e këtij komisioni dhe Kuvendi ka zbardhur agjendën e diskutimeve. Ajo që bie në sy, është se Fatmir Xhafaj po ndjek të njëjtën strategji si me reformën në drejtësi. Nesër do ju dërgohet kërkesë institucioneve që të dërgojnë ekspertë pranë komisionit, teksa do të kërkohet asistencë nga ndërkombëtarët. Deri këtu mund të duket normale. Por, ajo që ngre dyshime është se Komisioni do të dalë përtej Kuvendit.

Xhafaj ka kërkuar që të ketë faqe më vete në ueb dhe një platformë të komunikimit me publikun. Pra, e njëjta skemë si me reformën në drejtësi, pasi me të u ndoq e njëjta strategji. U thirrën ekspertë, të cilët më pas u katapultuan në sistem dhe po ashtu u hap faqe më vete uebi. Pse i duhet tani faqe më vete uebi Xhafajt dhe po ashtu platformë komunikimi me qytetarët?

1. Informim për zbatimin e Vendimeve të Mbledhjes së parë të Komisionit. 2. Vendimmarrje për procesin përgatitor për organizimin dhe funksionimin e Komisionit dhe projekt Axhendën e tij me fokus miratimin e p/vendimeve për: i)Kërkesë ndaj institucioneve shtetërore (sipas listës bashkëlidhur) të propozojnë emrat e përfaqësuesve/specialistëve me të cilët do të përfaqësohen për të bashkëpunuar dhe kontribuar me ekspertizën e tyre pranë Nëngrupit të punës për Antikorrupsionin pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar; ii)Miratimin e Strukturës së Stafit teknik të Komisionit Ad-Hoc; iii)Ftesë publike për bashkëpunim për Organizatat ndërkombëtare të ekspertizës që veprojnë në vendin tonë dhe vende të tjera si dhe për individ, ekspertë me përvojë në këto fusha, vendas dhe ndërkombëtarë; iv) Prezantimi i Konceptit të Faqes ueb dhe Platformës së Komunikimit publik; etj”, thuhet në rendin e ditës.

Sipas informacioneve, Sekretariati është duke përgatitur shkresat që do të dërgohen pranë institucioneve të pavarura që krijohen dhe japin llogari te Kuvendi (Avokati i Popullit; Kontrolli i Lartë i Shtetit; Komisioni i Prokurimit Publik; Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave; Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare; Autoriteti i Konkurrencës; Instituti i Statistikave), për të përcaktuar ekspertët dhe përfaqësuesit që do të punojnë me 3 nëngrupet e Komisionit të Posaçëm: Mirëqeverisja, Sundimi i Ligjit dhe Antikorrupsioni.

Pra sinjalet janë të qarta, komisioni “Xhafaj” kërkon të vërë nën tutelën e tij gjithë institucionet kushtetuese dhe sidomos SPAK. Ka zëra se po synohen ndërhyrje në ligj që rrudhin kompetencat e prokurorisë. Një ndër planet është që të hiqet “shpërdorim i detyrës” prej saj. Do të shohim në ditët në vijim si do të ecë puna, pasi rol kyç ka opozita. Pa të ligjet nuk kalojnë dot, pasi ka nevojë për 84 vota. Por sinjalet janë se pazari është arritur, vula për Berishën në këmbim të votave në Kuvend. /Pamfleti

Lini një Përgjigje