
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori deklaron se kryetarët e partive të tjera jo vetëm kanë pasur më shumë para, por dhe më shumë hapësirë mediatike se sa ai.
Duke folur në emisionin “Zonë e lirë” të Arian Çanit në MCN TV, ai tha se nëse do kishin hyrë si koalicion në zgjedhje do kishin marrë rezultat më të keq.
“Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani me llogaritë që kam bërë unë, nëse do kishin hyrë vetëm si parti as Endri Shabani dhe as Lapaj nuk do të kishin asnjë deputet.
Motivimi kur garon si parti është shumë më i lartë, se sa po të ishim koalicion, sidomos kur nuk ke të përbashkëta me ta.
Unë kam përshtypjen se nëse do ishim koalicion rezultati do të ishte shumë më i keq.
Nuk besoj se do të ishte e njëjta frymë nëse bashkohesh me parti që nuk kanë të njëjtin ideal dhe kauzë.
Për ne ka rëndësi e vërteta dhe e drejta dhe jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që ka të njëjtën qasje me ne.
Kryetarët e partive të tjera jo vetëm kanë pasur më shumë para, por dhe më shumë hapësirë mediatike.
Sidomos në zona periferike, aksesueshmëria jonë është shumë e ulët. Asnjë parti si ne nuk ia ka dalë të bëhet parti parlamentare, me këmbë dhe biçikletë.
Kanë tentuar dhe kanë dështuar shumë të tjerë që kanë pasur më shumë para, si Ben Blushi, apo Gjergj Bojaxhi.
Ky rezultat yni dhe pastaj performanca që kemi në parlament, do ju japë më shumë besim njerëzve. Simpatia ndaj nesh ka qenë shumë e lartë”, tha ai.
Lini një Përgjigje