
Partia Demokratike ka kërkuar rikthimin e koalicioneve parazgjedhore në Kodin Zgjedhor, sipas modelit të aplikuar më herët, ku partitë garonin me siglat e tyre brenda një koalicioni të përbashkët.
Kërkesa është paraqitur nga përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi, gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore. Ai theksoi se modeli i koalicioneve të përbëra, ku çdo forcë politike ruan identitetin e vet elektoral, ka funksionuar në të kaluarën dhe ka përballuar sisteme të ndryshme zgjedhore.
Bylykbashi ka kritikuar sistemin aktual, duke e cilësuar atë si të dëmshëm për funksionimin e partive politike dhe për vetë demokracinë. Sipas tij, ky model cenon pluralizmin dhe pengon përfaqësimin efektiv në parlament dhe në qeverisje.
“Ky sistem është toksik për partitë politike, pluralizmin dhe demokracinë. Nuk lidhet me atë që u duhet shqiptarëve dhe pengon funksionimin normal të jetës politike. Është një sistem që nuk mund të riparohet më”, është shprehur ai, duke bërë thirrje për hapjen e debatit mbi ndryshimet e nevojshme.
Çështja e reformës zgjedhore mbetet një nga temat kryesore të diskutimit politik, ndërsa nuk ka ende një qëndrim të plotë nga palët e tjera për propozimin e PD-së.
Lini një Përgjigje